Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se ka rritje të aksidenteve në trafik, ndërsa sipas tij situata është e keqe dhe si e tillë është e papranueshme.
Mehmeti në një konferencë për media tha se nga studimet që janë bërë edhe në vendet e rajonit, edhe periudha e mbylljes për shkak të pandemisë ka ndikuar në rritjen e aksidenteve dhe dhunës në përgjithësi.
“E kemi një situatë të papranueshme dhe të keqe lidhur me sigurinë rrugore”, tha Mehmeti.
Drejtori i Policisë së Kosovës tha se aktualisht janë me dy operacione aktive për sigurinë, ndërsa tashmë kanë futur edhe përdorimin e dronëve për kontrollin në trafik.
Ai tha se vetëm nga janari deri më 7 qershor janë shqiptuar mbi 170 mijë gjoba trafiku.
Sipas tij, problemi i sigurisë në trafik është multi-dimensional dhe duhet të përfshihen disa akterë në këtë fushë.
Drejtori i Policisë tha se janë disa masa afatmesme që pritet të ndërmerren, ndër të cilat është edhe ndryshimi i Ligjit për sigurinë rrugore.
Ndër ndryshimet që pritet të bëhen është edhe kalimi i përgjegjësisë nga vozitësi i automjetit, edhe te pronari i automjetit.
Ai tha se me digjitalizimin e sistemit, mundet që shqiptimi i gjobave të bëhet edhe pa ndalur fizikisht personin.
Drejtori i Policisë më tej u shpreh se me ndryshimin e Ligjit do të rishikohet edhe mënyra e gjobitjes, dënimit, sidomos në rastet kur aksidentet përfundojnë me fatalitet.
Ai mori shembullin e Zvicrës, kur në rastet e aksidenteve me fatalitet për shkak të përdorimit të telefonit, telefoni të konsiderohet si armë.
“Qytetari duhet të kuptojë që siguria në trafik është e keqe dhe të mos vdesin familjet në aksident”, tha ai. /Telegrafi/