Site icon Telegrafi

Aksident i rëndë në Roskovec: Makinat përplasin tufën e bagëtive, ndërron jetë bariu

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e të hënës në fshatin Suk të Roskovecit, ku dy automjete përplasën një tufë me bagëti të imëta si dhe dy barinj.

Sipas policisë, nga aksidenti ka ndërruar jetë njëri prej barinjve, shtetasi me iniciale F. G., 49 vjeç.

Sakaq, bariu tjetër, 32-vjeçar, ndodhet në spital, ku po merr trajtimin e duhur mjekësor.

Policia ka arrestuar drejtuesit e mjeteve, ndërkohë që vijon punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

“Në vijim të informacionit të dhënë mbi aksidentin e mbrëmshëm, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit Q. M., 24 vjeç dhe L. M., 24 vjeç, të dy banues në Roskovec, pasi me automjetet që drejtonin, kanë përplasur 31 bagëti të imëta që lëviznin në fshatin Suk 1, Roskovec, si dhe 2 çobanët që ruanin bagëtitë, shtetasit F. G., 49 vjeç dhe K. H., 32 vjeç. Si pasojë, ka humbur jetën 49-vjeçari, si dhe është dëmtuar shtetasi K. H., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Exit mobile version