Telegrafi

Aksident në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, tetë të lënduar

Një aksident trafiku mes katër veturave ka ndodhur pasditen e së dielës në autostradën ‘Dr.Ibrahim Rugova’. Sipas zëdhënësit të policisë, Daut Hoxha, aksidenti ka rezultuar me tetë persona të lënduar.

“Aksidenti ndodhi rreth orës 18:40 në kilometrin e 40-të të autostradës ‘Dr. Ibrahim Rugova’. Katër automjete me targa vendore janë përfshirë në këtë aksident. Sipas informatave fillestare, tetë persona janë raportuar të lënduar”, tha Hoxha.

Hoxha theksoi se aksidente të tilla shpesh kanë pasoja të rënda, duke apeluar për kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.

“Rastet të tilla të aksidenteve shpesh po rezultojnë me fatalitet, andaj apelojmë tek drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat në trafik. Policia me njësitë e saj po ndërmerr dhe do të ndërmarrë masa rigoroze ndaj kundërvajtësve që shkelin rregullat në trafik”, shtoi ai.

Njësitë policore kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkaqet e aksidentit, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor./Telegrafi/