Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka ekzekutuar vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) për shpërndarjen e fondeve të 20 përqindëshit të dedikuara për punëtorët e 14 ndërmarrjeve shoqërore (NSh).
“Pasi që janë krijuar kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullon çështjen e shpërndarjes së fondeve të 20 përqindëshit, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin përkatës për shpërndarjen e fondeve të 20 përqindëshit për punëtorët e kualifikueshëm të këtyre 14 ndërmarrje shoqërore dhe shuma e fondeve që është në procedurë të shpërndarjes kësaj radhe është 432 mijë e 427 euro e 90 cent. Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 462 punëtorë që i kanë plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë në shpërndarje të 20 përqindëshit”, ka njoftuar AKP- shkruan Telegrafi.
Bartja e këtyre fondeve do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në pajtim me Rregulloren 2003/13 (me ndryshime).
Në total, Agjencia deri me tani ka shpërndarë rreth 108 milionë euro dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar rreth 44 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.
Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20 përqindëshit për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh të tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen në një të ardhme të afërt. /Telegrafi/