Site icon Telegrafi

Ajax dhe Real Sociedad, dy skuadrat e radhës që futen në garë për Jasharin

Ardon Jashari duket se do të largohet nga Luzerni qysh në afatin kalimtar të janarit.

Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka pasur një vit të jashtëzakonshëm ku u kurorëzua me ftesën në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’ nga Përfaqësuesja e Zvicrës.

20-vjeçari ka zhvilluar 17 ndeshje këtë edicion me Luzernin ku ka asistuar në katër gola, dhe falë kësaj forme të mirë ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave të mëdha evropiane.

Ajax dhe Real Sociedad janë dy skuadrat e radhës që janë futur në garë për transferimin e mesfushorit defensivë.

Luzerni po pret ofertën e duhur për ta lënë të lirë yllin shqiptar dhe sipas mediave zvicerane klubi bardhekaltër synon të fitojë deri në 10 milionë euro nga shitja e Jasharit.

Reprezentuesi zviceran ka një kontratë me Luzernin deri në verën e vitit 2026, derisa vlen të përmendet se ai debutimin me ekipin e parë e ka bërë vetëm në janar të këtij viti.

Përveç Ajax e Sociedad që janë skuadrat e fundit që janë bashkuar garës për Jasharin, interesim për talentin shqiptar kanë shprehur edhe Arsenal, Leicester City, Napoli, Hoffenheim, RB Leipzig, Wolfsburg dhe Feyenoord Roterdam. /Telegrafi/

Exit mobile version