Site icon Telegrafi

Aida Shtino, nga ke “humbur”?

U ka kthyer shumë njerëzve në shtëpi personin e tyre më të dashur, por sot, ajo është bërë për t’u kërkuar vet. Gazetarja e mirënjohur, Aida Shtino, ka tash e sa kohë që nuk gjendet më pranë televizionit, ndërsa publiku vazhdon pyet dhe e dëshiron atë me insistim.

Në një intervistë ndryshe për Telegrafin, ajo kësaj here rikthehet për të treguar të tashmen e saj, aktivitetet me të cilat merret, duke treguar një ditë të zakonshme nga jeta e saj si dhe aspiratat që ka për të ardhmen e afërt, e që sigurisht që njëra ndër to duket të jetë shpresa për t’u rikthyer në kërkim të fatit të personave të zhdukur.

Në vazhdim ju ftojmë të lexoni bisedën me gazetaren Aida Shtino…

Aida, ka kohë që nuk ju kemi parë në ekran, nga keni “humbur”?

Edhe nëse do të “humbja” s’do kishte kush të më kërkonte (qesh). Në fakt jam shkëputur për një periudhë kohe nga ekrani, sepse ma mbyllën emisionin.

Gazetarja Aida Shtino në një rrëfim të veçantë për jetën dhe karrierën e saj (Foto: Top Channel)

Me çfarë jeni marrë gjithë këto kohë sa keni qëndruar larg televisionit?

Për mua ka qenë e vështirë jeta larg televizionit, larg punës time, por jam munduar të bëj edhe gjëra të tjera. Jam pjesë e “Lions Club International”, e cila është një organizatë me qendër në Amerikë, që është lider në bote në shërbimin humanitar. Kam shërbyer si ‘Lions’, duke ndërmarrë me klubin tim shumë aktivitete, në dobi të komunitetit. Gjithashtu kam nisur të shkruaj edhe një libër.

Të gjithë ju mbajnë mend nga emisioni i njohur “Njerëz të humbur”, na fol pak rreth eksperiencës tënde shumë vjeçare në këtë format?

Është eksperienca më e vështirë, por dhe më e bukur e jetës time. Kur e kam nisur në fillim nuk e kisha menduar kurrë, se emisioni do të merrte aq shumë popullaritet. Këtë e kam ndjerë me kalimin e kohës, kur unë ecja në rrugë dhe njerëzit më afroheshin dhe më përgëzonin. Ato momente ngarkohesha shumë emocionalisht, por njëkohësisht rritej përgjegjësia brenda meje. Ndërkohë në emision rastet sa vinin e shtoheshin. Njerëzit vinin me një shpresë, të kërkonin të afërmit e tyre, që ishin zhdukur e që ishin larguar në drejtim të pa ditur. Vështirësia e rasteve ishte e madhe dhe sidomos kur je grua kjo vështirësi shtohet dyfish , sepse më është dashur të përballem me lloj-lloj situatash dhe unë duhej të ruaja gjakftohtësinë, mos bija pre e emocioneve, por të vazhdoja kërkimet për të zbuluar të vërtetën. Megjithatë gjithmonë mendoja me vete se ia vlente, nuk ka gjë më të mirë, kur gjen birin apo bijën e një nënë e cila vajtonte për vite të tëra, për fëmijën që nuk e dinte ku e kishte. Unë këtë gjë e mendoja dhe e mendoj, si mision të jetës time.

Aida Shtino ka qenë autore dhe producente e programit të njohur investigativ “Njerëz të humbur” (Foto: Emisioni “Njerëz të humbur”)

Çfarë ndodhi me “Njerëz të humbur”? Dhe a do t’iu shohim në ndonjë të ardhme sërish në këtë format?

“Njerëz të humbur” fatkeqësisht u mbyll në një moment kur unë nuk e prisja, madje isha duke kërkuar raste mjaft të vështira dhe në kulmin e punës ma ndërprenë…Mendoj dhe dëshiroj sigurisht që të vazhdoj me “Njerëz të humbur”, i cili është nga ato emisione, që transmetohet në të gjithë botën për vite të tëra dhe që askush nuk i ka ndërprerë, për shkak të dobisë që ato i sjellin, drejtpërsëdrejti komunitetit.

Cilat janë ndër rastet më të suksesshme dhe kujtimet më të bukura që ti ruan nga ky emision?

Në dhjetë vjet transmetimesh ‘live’, ne kemi pasur shumë raste që kemi zgjidhur. Ka qenë një punë sistematike, që unë së bashku me stafin tim të gazetarëve, jemi përpjekur të përkushtohemi në maksimum. Një ndihmesë e madhe kanë qenë korrespondentët tanë nëpër botë, që ndihmonin vullnetarisht, por mbi të gjitha ndihma kryesore ka qenë publiku i cili nuk qëndronte indiferent, por telefononte për çdo rast që kishte informacion. Në fakt në këto dhjetë vjet kam kaluar momente shumë të bukura, që nuk do t’i harroj kurrë, por do t’i mbaj gjithmonë në zemër dhe do të më shoqërojnë gjithë jetën time. Kanë qenë fillimet e mia, madje java e parë kur unë kam nisur emisionin dhe arritëm të gjejmë një djalë. Familja e tij kishte 11 vjet që nuk e dinte ku ndodhej, madje për faktin se kishin kaluar shume vite, ata mendonin se djali i tyre ndoshta nuk ishte gjallë. Jetonin në Maqellarë të Peshkopisë dhe ata i kishin ndërtuar edhe një varr imagjinar, të paktën të kishin një vend ku ta qanin…Për atë rast jam lodhur shumë, kam bërë të pamundurën dhe më në fund e gjetëm, djali i tyre ishte gjallë e jetonte në Greqi, por kishte humbur kujtesën. Për ta ishte si një ringjallje. Kjo gjetje më dha forcë të besoja në vetën time, se unë mund t’ia dilja mbanë dhe kështu vazhdova.

“Të Iluminuarit” ishte një tjetër eksperiencë ndryshe për ju. Si e kujton përvojën në këtë emision?

Një përvojë e bukur, interesante, por ishte e shkurtër, vetëm tetë emisione. Në fakt ishte ana tjetër e medaljes së “Njerëz të humbur”. Në “Njerëz të humbur” unë kërkoja ata që ishin në errësirë, kurse tek “Te Iluminuarit” kërkoja ata që kishin gjetur dritën brenda vetës, ata që kishin gjetur rrugët e suksesit në jetën e tyre dhe këtë dritë e ndanim me publikun.

Gazetarja Shtino tash e tri vite ka nisur edhe një eksperiencë të re si presidente e organizatës humanitare “Lions Club Tirana Elite” (Foto: Aida Shtino/Instagram)

Çfarë mendimi keni për gazetarinë investigative, dhe a ju vjen keq që sot nuk aplikohet edhe aq shumë në mediat shqiptare?

Gazetaria invetigative për mua është gazetaria më e vështirë, por njëkohësisht më e bukur, ajo që përbën thelbin e gazetarisë në vetvete, duke i kthyer kështu gazetarët në misionarë. Ju besoj e dini se skandalet dhe krimet më të mëdha në botë, janë zbuluar nga gazetarët, të cilët kanë dhënë edhe jetën e tyre, për t’i treguar botës të vërtetat. Fatkeqësisht më vjen shumë keq, që sot si në Shqipëri, por edhe në trevat shqiptare janë shumë të paktë gazetarët investigativë, të cilët bëjnë gazetarinë e vërtetë, pa bërë kompromise në dëm të së vërtetës, gjatë rrugës…

Jeni presidente e organizatës “Lions Club Tirana Elite”. Mund të na tregosh pak për aktivitetet që zhvillon atje?

Unë tashmë prej tre vjetësh shërbej si ‘Lions’ dhe kjo gjë në njëfarë mënyrë, më ka mbushur jetën. Klubi jonë ka bërë shumë aktivitete, bazuar në pesë shtyllat e Lionizmit, që janë lufta kundër verbërisë dhe mbrojtja e shikimit, lufta kundër Kancerit Pediatrik, lufta kundër urisë dhe varfërisë, lufta kundër diabetit si edhe lufta për mbrojtjen e ambientit dhe trashëgimisë tonë. Ne shërbejmë dhe kjo është motoja jonë. Klubet Lions janë klube me qendër në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë krijuar 100 vjet më parë, po në Çikago nga Melvin Jones.

Si është një ditë e zakonshme e Aidës?

Po tani që nuk kam emisionin jam më e lirshme dhe jo aq e ngarkuar si dikur. Qohem herët dhe për një orë eci në natyrë, pastaj paraditen ia kushtoj shkrimit, ulem dhe shkruaj dhe kjo ma mbush disi ditën, pasi aty kaloj në një realitet tjetër imagjinar, ku më pëlqen shume të jem. Pasdite mblidhemi me klubin shpeshherë diskutojmë për projektet e ardhshme dhe mbrëmja me familjen. Kjo është një ditë e zakonshme e imja.

Keni treguar se keni një lidhje shumë të veçantë me djalin tuaj. Na flisni pak rreth raportit tuaj nënë dhe bir?

Po djali im tani është rritur dhe pak nga pak po hap krahët e tij për të fluturuar, por gjithsesi unë jam nëna e tij dhe ndjek me kujdes çdo hap që ai hedh. Marrëdhënia jonë është e veçantë, sepse në momentet e mia të vështira ai më ka dhënë forcë, për të vazhduar dhe sigurisht unë si nënë, në çdo gjë që ai ka e diskuton me mua dhe unë e këshilloj duke mos ndikuar shumë në vendimet që ai merr, sepse dua që ai të bëhet i përgjegjshëm për vendimet e tij dhe realizimin e ideve që ka.

Aida Shtino në një ditë të zakonshme të saj (Foto: Who)

A i preferoni rrjetet sociale, dhe nëse po, sa harxhoni kohë në to?

Po deri diku, për shkak të punës, pasi mendoj se ka ngelur i vetmi komunikim ku ne mundet të kemi me miqtë tanë, por edhe të marrim informacion për çka ndodh përreth.

Thënia juaj e jetës?

“Ne duhet të kontribuojmë dhe shërbejmë, për ta bërë këtë botë, një vend më të mirë”.

Cilat janë projektet e tua për të ardhmen e afërt?

Shpresoj e ardhmja e afërt të jetë rifillimi i emisionit tim “Njerëz të humbur”!

Aida, faleminderit shumë që ishe pjesë e intervistës pas kaq vitesh mungesë. Cili do ishte mesazhi që do doje t’iu lije lexuesve për fund?

Koha është gjëja më e çmuar në këtë botë dhe për këtë, unë falënderoj të gjithë ata që do të dhurojnë kohën e tyre, duke lexuar këtë intervistë! U mundova të përgjigjesha me sinqeritet, siç unë kam qenë gjithmonë me publikun tim besnik, që më ka ndjekur në emisionin tim “Njerëz të humbur”. Më ka marrë malli shumë për ta dhe shpresoj së shpejti, të shihemi sërish në ekran. Gjithashtu juve ju falënderoj për intervistën dhe ju uroj suksese! /Telegrafi/

Exit mobile version