Telegrafi

“Ai është i rëndësishëm për ne”, Ancelotti falënderon yllin e Real Madridit që nuk u largua

Real Madridi pati një afat kalimtar mjaft të qetë, ndërsa blerjet e tyre të vetme ishin Kylian Mbappe dhe Endrick Felipe që tashmë ishin konfirmuar si lojtar të tyre kohë më parë.

Në anën tjetër pati disa largime siç janë Toni Kroos i cili i dha fund karrierës, Nacho dhe Joselu të cilët po ashtu u larguan në korrik.

Kjo do të thotë se muaji gusht ishte mjaft i qetë për ta, në përjashtim të dy ditëve të fundit.

Kjo për shkak se Dani Ceballos po lidhej fortë me një largim nga klubi dhe një rikthim tek Real Betisi, madje kishte bërë kërkesë që ky transferim të realizohej.

Sidoqoftë, për shkak se kërkesat financiare të Real Madridit nuk u plotësuan, mesfushori do të mbetet pjesë e ekipit të Carlo Ancelottit.

Kjo është diçka për të cilën tekniku italian është shprehur falënderues, përkundër faktit se Ceballos ka pasur vështirësi që të ketë minuta në këmbë gjatë 12 muajve të fundit.

“Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne. Është e vërtetë se nuk i ka pasur minutat që ai ka dashur ose i ka merituar, por ne jemi shumë të lumtur që ai do të qëndrojë me ne. Ai do të jetë shumë i rëndësishëm për ekipin”, ka thënë Ancelotti.

Ceballos mund të marrë më shumë minuta gjatë javëve në vazhdim pasi Jude Bellingham dhe Eduardo Camavinga kanë mbetur jashtë fushave shkaku i lëndimit.

Të dielën, ai madje mund të përballet pikërisht me Real Betisin klub nga i cili ishte bërë pjesë e Real Madridit./Telegrafi/