Legjenda e Milanit, Ruud Gullit ka thënë se bashkëkombasi i tij Joshua Zirkzee duhej të ishte bërë pjesë e Milanit dhe jo Manchester United.
Sulmuesi holandez Zirkzee u largua nga Bologna verën e kaluar për t’u transferuar në ‘Old Trafford’.
Ani pse shënoi në ndeshjen e tij të parë zyrtare për Unitedin, 23-vjeçari ka vetëm një gol të shënuar në nëntë paraqitje me klubin e tij të ri.
“Zirkzee është dashur që t’i bashkohet Milanit dhe jo Manchester Unitedit. Ai e njihte Serie A dhe disa sezone më shumë në këtë ligë me një klub si Milani do të kishte qenë ideale për zhvillimin e tij”.
“Tani ai është në një klub me shumë probleme, gjë e cila nuk po e bën rritjen e tij të lehtë. Ai është pa asnjë dyshim një lojtar i mirë, por është e vështirë të bësh mirë tek Man United në këto momente”, ka thënë Gullit.
Vendimin e njëjtë nuk e mori edhe bashkëkombasi i Zirkzees, Teun Koopmeiners i cili vendosi të qëndrojë në Serie A duke iu bashkuar Juventusit nga Atalanta përkundër interesimit nga ligat e tjera.
“Ishte një hap i madh përpara për të, të cilin e meritoi pas këtyre sezoneve tek Atalanta. Ai është një mesfushor i kompletuar. Ai di se si të bëjë çdo gjë”.
“Kam lexuar se ai ka pasur oferta nga jashtë por ka marrë vendimin e duhur duke qëndruar në Itali në një klub ku mund të përmirësohet më shumë”, përfundoi ai./Telegrafi/