Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Shpend Ahmeti, ka theksuar se duhet të diskutojnë se me cilat subjekte politike do të bashkëpunojnë.
Ahmeti në emisionin “Duel – D”, të RTV Dukagjini, ka thënë se në qeverisjen e kaluar komunale, kanë pasur bashkëpunim me Aleancën për Kosovë të Re (AKR) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Me AKR e rikonfirmuam edhe njëherë marrëveshjen, por presim që edhe me AAK-në të ndodhë e njëjta. Arbër Vllahiu, është caktuar negociator i kësaj partie dhe Haradinaj nuk është përzier fare në këto diskutime. Synojmë që ta përfshijmë në koalicion edhe Lëvizjen për Bashkim (LB), ndonëse kemi pasur çështje të hapura me këtë parti, por këtu bëhet fjalë për nivelin komunal. Edhe me Nismën jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Krejt këto për të mirën e qytetarit të Prishtinës. Përgjegjësinë për çdo sukses dhe dështim e mbaj unë dhe VV-ja”, ka shtuar Ahmeti.
Sipas tij, “qytetarët në vitin 2013, nga 10 asamblistë na mundësuan të kemi 18. Tash është me lehtë të sigurohen edhe 8 vota, sesa më parë që është dashur 16”./Telegrafi/