Ministri i Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Arben Ahmetaj ka mbrojtur vendimin e Qeverisë për të ulur pragun e vetëdeklarimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në 2 milionë lekë të reja.
Në ditën që biznesi i vogël ka paralajmëruar një protestë duke ulur qepenat për një orë, Arben Ahmetaj doli në një bashkëbisedim me gazetarët, ku thotë se objektivi për uljen e pragut nuk është gjenerimi i të ardhurave të TVSH-së nga biznesi i vogël, por qartësia e transaksioneve për të vjelë këtë taksë nga biznesi i madh.
“Qëllimi është fokusi tek biznesi i madh, qartësia e transkasionit në funksion të mbledhjes më shumë TVSH nga biznesi i madh. Nuk synohet që biznesi i vogël të jetë gjenerator i të ardhurave të TVSH”, tha Ahmetaj.
Ministri deklaroi se nga bizneset e vogla arkëtohen rreth 1 miliard lekë nga TVSH, që përfaqëson vetëm 0.08 për qind të totalit. Pjesa tjetër, thotë ai, janë mbledhura nga biznesi i madh.
Ahmetaj thotë se kjo masë nuk rrit as çmimet dhe as koston për biznesin e vogël.
“Gënjejnë kur thonë se do të rritet kosto. Kemi pyetur, kemi bërë anketa dhe të gjitha shpenzimet që mund të bëhen janë 15 mijë lekë në vit, që janë të zbritshme. Gënjejnë kur thonë se do të rriten çmimet dhe fakti që jemi në prill dhe çmimet nuk janë rritur e tregon këtë”, shton ai. /Telegrafi/