Chelsea është përballur me lëndime që në minutat e para në sfidën ndaj Manchester Cityt duke u detyruar të bënte dy zëvendësime.
Raheem Sterling ishte i pafat në përballjen ndaj ish-klubit të tij, pasi që luajti vetëm tri minuta dhe u desh ta lëshonte fushën.
Ai mbeti i lënduar pas një ndërhyrjeje dhe nuk mund të vazhdonte, ashtu që u zëvendësua nga Pierre-Emerick Aubameyang.
Por, agonia për trajnerin Graham Potter nuk përfundoi këtu. Brenda 20 minutave të para, ai e humbi edhe Christian Pulisicin. Amerikani ishte në një rast të mirë shënimi, por u ndërpre nga John Stones me një ndërhyrje të rreptë dhe nuk mundi më të vazhdonte.
Paraprakisht, në stërvitje ishte lënduar edhe Mason Mount, i cili nuk ishte në dispozicion të trajnerit për këtë sfidë, derisa lista e lojtarëve të lënduar të Chelseat është e gjatë.
Edouard Mendy, Reece James, Wesley Fofana, Ben Chilwell, N’Golo Kante, Ruben Loftus-Cheek e Armando Broja – janë futbollistët tjerë të lënduar. /Telegrafi/