Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar lajmin për tentim zjarrvënien në garazhin të redaktorit të transmetuesit publik, Alban Selimi.
Selimi mbrëmjen e djeshme përmes rrjetit social Facebook, ka treguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt, por që nuk ia ka arritur qëllimit.
“Dikush ia vuni flaken; me m’frikesu. S’ia arrijne qellimit!”, kishte shkruar Selimi.
E AGK përmes një reagimi për media thekson se kërcënimet e tilla janë të papranueshme.
“Për AGK-në kërcënime të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe ndikojnë në punën e gazetarëve për të raportuar në një ambient të sigurt. Andaj, kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente që të hetohen motivet e këtij sulmi, dhe autori të vihet para drejtësisë.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në rrethana të panjohura në zjarr janë përfshirë dyert e garazhdës së viktimës mashkull kosovar.
“Rr. Frijdorf Nansen, Fushë Kosovë 16.03.2023 – 18:25. Raportohet se në rrethana të panjohura në zjarr janë përfshirë dyert e garazhit së viktimës mashkull kosovar. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/