Site icon Telegrafi

AGK-ja dënon presionet dhe kërcënimet ndaj gazetares Dragana Vukosavleviq

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se gazetarja e portalit Kossev nga Mitrovica Veriore, Dragana Vukosavleviq (Dragana Vukosavljević) është kërcënuar nga një zyrtare e komunës së Mitrovicës Veriore, dhe ndaj saj është ushtruar presion.

Vukosavljević kishte raportuar për mos-regjistrimin e të sapolindurve në këtë komunë, duke përdorur përgjigjet e zyrtares së regjistrit civil, F.Stavileci, pas një sërë përpjekjesh për të marrë informacion zyrtar për temën.

Sipas raportimit të portalit, ajo e ka kërcënuar gazetaren se do t’ia dërgojë policinë në redaksi.

AGK-ja i dënon ashpër kërcënimet dhe pengimin e punës ndaj gazetares Vukosavljević dhe e fton Policinë e Kosovës të bëjë hetimet e duhura në mënyrë profesionale.

AGK-ja gjithashtu i bën thirrje Komunës së Mitrovicës Veriore të kryejë hetime të brendshme për incidentin.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e fton kryetarin, Erden Atiq dhe administratën komunale që ai udhëheq që të ofrojë transparencë për vendimet, dhe të angazhohet për të kthyer përgjigje për tema të interesit publik, për gazetarët e të gjitha nacionaliteteve.

Exit mobile version