Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), aktorja dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh falënderimi për të gjithë ata që e votuan dhe e mbështetën në këtë proces zgjedhor.
Në një postim në rrjetet sociale, Matoshi e quajti këtë fitore jo vetëm të sajën, por të të gjithë atyre që dëshirojnë një ndryshim dhe që besojnë në angazhimin e saj si deputete.
“Një falënderim i pafund për të gjithë ata që besuan tek unë dhe që më mbështetën gjatë këtij rrugëtimi. Sot, si deputete, nuk është vetëm arritja ime, por arritja e të gjithë atyre që deshën një ndryshim. Ky është një angazhim i madh dhe do të punoj me gjithë forcën time për t’ju bërë krenarë. Shumë faleminderit për besimin dhe mbështetjen tuaj. Së bashku mund të realizojmë shumë! Ju du”.
Aktorja nga Gjilani, e cila njihet për rolet e saj në kinematografinë shqiptare dhe për aktivizmin e saj politik, ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës edhe në mandatin e kaluar. Ajo është vlerësuar për përkushtimin e saj ndaj çështjeve sociale dhe për përpjekjet për të adresuar nevojat e qytetarëve.
Me këtë fitore të re, Matoshi pritet të vazhdojë angazhimin e saj në Kuvend, duke përfaqësuar votuesit që i besuan asaj edhe një herë mandatin si deputete e Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/