Site icon Telegrafi

Abdixhiku uron pavarësinë: Veç një Kosovë kemi, dashuria për atdhe nuk mund të zhbëhet

Në 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur urimet e tij për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Ai theksoi se Kosova, si shtet i pavarur, është arritja më e madhe e qytetarëve të saj, një shpagim i përpjekjeve të gjeneratave të tëra për çlirim dhe pavarësim.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku nderoi Atin Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, dhe të gjithë luftëtarët, martirët dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e familjes Jashari.

“Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe  e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim; është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë.

Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentitn Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne”, ka shkruar Abdixhiku.

Kryetari Abdixhiku kujtoi se, pavarësisht përplasjes politike të brendshme, dashuria për atdhe dhe pavarësi nuk mund të zhbëhet. Ai u shpreh se atdheu është i përhershëm dhe se çdo qytetar i Kosovës duhet të vazhdojë rrugëtimin drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ardhmes së shëndetshme për të gjithë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version