Telegrafi

Abdixiku: Zgjedhjet të mbahen më 26 janar, vendit i duhet një Qeveri që e parandalon zhbërjen e shtetit

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë një deklaratë pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.

Ai tha se takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të filluara nga 26 korriku, ku janë të përfshira 13 parti të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.

Abdixhiku shprehu shqetësimin se përpjekjet për shpërbërjen e Kuvendit dhe shmangien e përgjegjësisë nga Qeveria janë të panevojshme dhe të dëmshme, veçanërisht në këtë moment kritik për vendin.

Në takim nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Në përputhje me afatet kushtetuese, Abdixhiku propozoi datën 26 janar 2025 si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një Qeverie të re që do të parandalojë zhbërjen e shtetit dhe do të rikthejë orientimin pro-perëndimor, si dhe do të fokusoheshin në zhvillimin dhe mirëqenien qytetare.

“Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë dhe rikthim tek qytetari, ato na vijnë në një moment kritik për vendin dhe për gjeneratat e ardhshme. Prandaj, përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!” tha Abdixhiku.

Lexo po ashtu Krasniqi pas takimit me Osmanin: Kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet

Edhe kreu i subjektit më të madh opozitar Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se partia e tij është gati për zgjedhje në çfarëdo date.

“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajën që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shpreson që presidentja Osmani do ta shpallë 26 janarin datë të zgjedhjeve të reja.

“Shpresoj që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 janar”, shkroi ai në Facebook./Telegrafi/