Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur këtë të mërkurë në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë gjendjen e tensionuar në veri të vendit.
Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin Abbott për qëndrimin e partisë për tensionet në veri si dhe nevojën që në momente të tensioneve e provokimeve nga Serbia, ecja e përbashkët me aleatët për të përballuar një krizë është domosdoshmëri.
“Në këtë moment, Kosovës i duhen gjithë miqtë e saj; përplasja me ta është devijim strategjik e dështim diplomatik me pasoja afatgjata”, ka thënë i pari i LDK-së.
Tutje thuhet se Abdixhiku ka falënderuar ambasadorin Abbott dhe Britaninë e Madhe si partner strategjik për rolin dhe kontributin e saj në forcimin e konsolidimin e shtetit të Kosovës./Telegrafi/