Në njëvjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka nderuar kujtimin e tij dhe ka vlerësuar sakrificën e tij për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të shtetit.
“Sot, më 24 shtator, është bërë një vit nga rënia në krye të detyrës e policit-hero, Afrim Bunjaku, i cili sakrifikoi jetën e tij për mbrojtjen e rendit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës,” ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku vuri në dukje se Bunjaku u vra nga anëtarë të një grupi terrorist të financuar dhe komanduar nga Serbia, ndërsa po kryente detyrën e tij fisnike si polic.
Ai e përshkroi Bunjakun si një hero dhe model për brezat e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e dënimit të përgjegjësve dhe mbajtjes përgjegjëse të Serbisë si organizatore e agresionit ndaj Kosovës.
Afrim Bunjaku do të mbetet përherë në kujtesën shtetërore si një personalitet që dha jetën për mbrojtjen e territorit të Kosovës. “Lavdi e përjetshme Afrim Bunjakut,” përfundoi Abdixhiku. /Telegrafi/