Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përkujtoi nënkryetarin e LDK-së, Fehmi Agani, në 23 vjetorin e vrasjes së tij.
Ai shkruan se vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes politike për liri e pavarësi.
“Sot, bëhen 23 vjet nga vrasja e ideologut, intelektualit dhe dijetarit të madh shqiptar, Prof. Fehmi Agani. Si shkrimtar, si gazetar, si politolog, si sociolog e mbi të gjitha si atdhetar i madh, profesor Agani ishte pjesë e gjeneratës së artë intelektuale e politike shqiptare në Kosovë gjatë fundshekullit të kaluar.
Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës. Si e tillë, ajo u shndërrua shenjë e pafuqisë së aparatit represiv serb ndaj idesë sonë kolektive për liri e pavarësi”, tha ai.
Abdixhiku më tej shkruan se Fehmi Agani ishte ndër figurat kryesore në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Shërbeu si nënkryetar i saj e si dorë e djathtë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi. Jeta e tij, veprimtaria e tij politike, është pasuri kombëtare”, tha ai. /Telegrafi/