Grupi Parlamentar i AAK-së nuk mori pjesë në seancën ku për rend dite është adresimi vjetor i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes faqes zyrtare në Facebook, AAK thotë se ky refuzim për të marrë pjesë në seancë është për shkak se Presidentja e ka shkelur mandatin e vet si faktor uniteti.
“Grupi Parlamentar i AAK-së, në shenjë mospajtimi dhe revolte për faktin se Presidentja e ka shkelur mandatin e vet si faktor uniteti, duke u bërë palë me Kryeministrin, ne si grup parlamentar refuzojmë ta dëgjojmë fjalën e Presidentes dhe e braktisim seancën”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndryshe, shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të qëndrojë në sallë të Kuvendit për të dëgjuar adresimin e presidentes Vjosa Osmani.
Tahiri në një postim në Facebook shkruan se presidentja Osmani ka manifestuar një paaftësi totale për të ushtruar rolin kushtetues, me theks të veçantë në agjendën e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/