Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që të enjten të mbahet një debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për media ka hedhur kritika ndaj qeverisë Kurti për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, transmeton Telegrafi.
“AAK si Grup Parlamentar ka filluar një nismë që ditën e enjte të bëhet një debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi dhe mungesën e sigurimeve shëndetësore”, thotë ai.
Dreshaj tha se ligji për sigurime shëndetësore nuk është as në agjendën pranverore.
“Vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në rajon pa sigurime të mirëfillta shëndetësore, vazhdon lista e pritjes, trajtimi i pacientëve jashtë Kosovës. Ne kemi ftuar debat parlamentar, dhe do ta mbyllim me një rezolutë, që besojmë që do të mbështetet edhe nga pozita”, u shpreh ai.
Dreshaj tha që shpresojnë që rezoluta të jetë një rrugëdalje dhe të jetë një obligim për Qeverinë, dhe shëndetësia të rikthehet në rrugën e drejtë./Telegrafi/