Site icon Telegrafi

89-shi i pandalshëm, triumfon edhe ndaj Hajvalisë

Lideri aktual i elitës së futbollit kosovar, Trepça ’89 ka vazhduar me formë të mirë edhe në pranverë.

Mitrovicasit kanë triumfuar në udhëtim tek Hajvalia me rezultat të thellë 0-4.

Në pjesën e parë mysafirët kishin disa raste të mira shënimi, mirëpo rezultati në fund mbeti ai i fillimit 0-0.

Ishte minuta e 52-të e ndeshjes, kur sulmuesi nigerian Oto John shënoi golin e parë në ndeshje nga afërsia për 0-1.

11 minuta më vonë, përsëri John ishte shënues, kur u shërbye mirë nga Florent Hasani dhe nga afërsia përsëri mposhti portierin vendas.

Për 3-0 realizoi mesfushori ofensivë, Florent Hasani i cili pasi pranoi një top të bukur në zonë me një goditje të fuqishme mposhti portierin vendas.

Transferimi i ri i 89-shit, talenti Hasan Hyseni shfrytëzoi një gabim të portierit vendas për të shënuar për 0-4 në minutat e fundit të ndeshjes.

Fitorja ndaj Hajvalisë, e mbanë 89-shin në krye të tabelës me 45 pikë të tubuara, gjashtë më shumë nga pozita e dytë e cila mbahet nga Prishtina.

Në javën e ardhshme pikërisht Trepça ’89 do të përballet me Prishtinën. /Telegrafi/

Exit mobile version