Bajrush Qevani, menaxher i Projektit të Regjistrimit të Bujqësisë në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë se regjistrimi i bujqësisë jep të dhëna të detajuara për shfrytëzimin e tokës, numrin e blegtorisë sipas llojeve, kulturat bujqësore, ujitjen, përdorimin e plehrave minerale dhe organike, pesticideve, makinat dhe pajisjet bujqësore, objektet bujqësore, fuqinë punëtore në bujqësi etj., pra jep informacione të detajuara si për nivelin qendror, po ashtu edhe për atë Qevani në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se me ndihmën e të dhënave të regjistrimit të bujqësisë mund të bëhet alokimi i duhur i investimeve në sektorin e bujqësisë.
“Regjistrimi i bujqësisë do t’u ndihmojë institucioneve qendrore dhe lokale në planifikimin dhe nxitjen e zhvillimit të këtij sektori. Pastaj të dhënat e regjistrimit të bujqësisë u ndihmojnë institucioneve lokale dhe qendrore për menaxhimin më të mirë të resurseve, pastaj nëpërmjet këtyre të dhënave mund të vlerësohen mundësitë e punësimit në sektorin e bujqësisë”, është shprehur Qevani.
Sipas tij, regjistrimi i Bujqësisë është e vetmja masë statistikore që ofron të dhëna që ndihmojnë në krijimin e një kornize për mostrat e të gjitha anketave të ardhshme bujqësore, ndihmon në krijimin e regjistrit statistikor të fermave, mbledh informata për variablat e frekuencave të ulëta, duke siguruar kështu të dhëna deri në nivelin lokal/komunal.
“Për kryerjen e punëve në terren për regjistrimin e bujqësisë është planifikuar angazhimi i personelit të nevojshëm, pra angazhimi i mbikëqyrëseve (10 javë), kontrollorëve (6 javë), regjistruesve (4 javë) dhe personelit tjetër mbështetës që në total është rreth 3 450 persona aktivë dhe rezervë. Ky personel do të jetë i angazhuar në periudhë të shkurtër kohore për periudhën shtator – nëntor 2014. Pjesën më të madhe të personelit e përbëjnë regjistruesit, rreth 2 880 persona aktivë dhe rezervë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Sipas Qevanit ky proces ka një kosto relativisht të lartë. “Kostoja totale e projektit është rreth 4.7 milionë euro. Nga projekti i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave kanë mbetur mjete me vlerë 2200 000 euro, ndërsa pjesa tjetër 2 498 000 euro është siguruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe donatorët. Kjo kosto përfshinë parapërgatitjet për regjistrimin e bujqësisë, regjistrimin testues të bujqësisë, i cili është kryer në nëntor të vitit 2012 dhe deri në publikimin e rezultateve përfundimtare nga regjistrimi i bujqësisë. Përfshinë periudhën 2012 – 2015. Pjesa më e kushtueshme e projektit është pjesa e grumbullimit të të dhënave në terren, e cila është planifikuar të kryhet prej datës 1 – 20 nëntor 2014”, ka treguar Bajrush Qevani, menaxher i Projektit të Regjistrimit të Bujqësisë në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). /Telegrafi/