Site icon Telegrafi

3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Traktati i Paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Paqja e Shën-Stefanit ishte një nga më të ashprat që ishte arritur ndonjëherë në histori.

Pas luftimeve që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën Stefan, rreth 17 kilometra në afërsi të Stambollit. Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, kontit Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat.

Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit.

Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37,7 mijë kilometra katrorë në 52,7 mijë kilometra katrorë. Edhe Mali i Zi rritej nga 4,7 në 15,7 mijë kilometra katrorë.

Trojet shqiptare do të copëtoheshin rëndë nga ky traktat dhe në bazë të kësaj marrëveshje.

Traktati i Shën Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike.

Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë.

Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare. /Dita/

Exit mobile version