Site icon Telegrafi

​15 raste të kafshimit nga gjarpri për dy muaj, QKMF-të pa doza të serumit

Me ngritjen e temperaturave është rritur edhe numri i personave të kafshuar nga gjarpërinjtë në Kosovë. Gjatë dy muajve të fundit, 15 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Disa prej këtyre rasteve janë hospitalizuar, e disa të tjerë janë trajtuar me serumin kundër helm.

Ndërkaq, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Deçan dhe Gjilan thonë se nuk kanë asnjë dozë të serumit kundër helm në rastet e kafshimit nga gjarpri, për çka potencojnë se në raste të tilla pacientët i dërgojnë për trajtim në spitalet regjionale, për shkak të ndjeshmërisë së terapisë. Ata thonë se gjatë këtyre muajve nuk është lajmëruar asnjë rast me kafshim të gjarprit.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj thotë për kp se nga 15 rastet paraqitura, 6 prej tyre kanë pasur indikacione për t’u hospitalizuar dhe 9 të tjerëve iu është dhënë vetëm serumi antihelm në kushte ambulantore. Vishaj potencoi se kanë terapi të mjaftueshme për trajtimin e rasteve të tilla.

“Këta dy muajt e fundit kur temperaturat kanë qenë më të rritura dhe mundësia për pickim nga gjarpërinjtë është më e madhe, i kemi pasur gjithsej të regjistruar 15 pacientë, prej tyre 6 pacientë kanë pasur indikacion për t’u hospitalizuar. I kemi hospitalizuar dhe i kemi dhënë terapinë mbështetëse dhe terapinë etiologjike. Kurse, diku 9 pacientë, i kemi dhënë vetëm serumin në kushte ambulantore, sepse nuk kanë qenë forma të rënda klinike…Serum antiviperin ne kemi mjaftueshëm, për momentin jemi të furnizuar në sasi të mjaftueshme”, tha Vishaj.

Kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë, Valdet Hashani thotë se nuk posedojnë doza të këtij serumi, për çka shton se për shkak të komplikimeve të mundshme, terapia për kafshimin nga gjarpri jepet në spitalet regjionale dhe ato terciare. Ai thotë se në QMF-të e Prishtinës nuk është regjistruar asnjë rast.

“Në bazë të dhënave që i kemi, në bazë të protokolleve që i mbledhim nga të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk kemi pasur pacientë që është lajmëruar për shkak të kafshimit të gjarprit. Mirëpo, fatmirësisht, sigurisht edhe ata që janë paraqitur lajmërohen drejtpërdrejt në spital meqë edhe marrja e serumit antiviperin, ose kundër kafshimit të gjarprit, stazhionohet dhe ruhet në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, jepet në klinikat e infektives në spitalet regjionale. Kjo është e nivelit të spitaleve regjionale dhe terciare. Nuk kemi në depot tona (serum antihelm), mirëpo nëse kemi ndonjë rast ne e kemi autoambulancën, me të cilën e dërgojmë drejtpërdrejt në spital, meqë aty bëhet edhe dhënia e këtij serumi. Serumi jepet shumë ngadalë në vena, zakonisht 10 deri në 30 njësi. Ajo jepet për shkak të komplikimeve të mundshme vetëm në spitalet, qofshin ato regjionale ose në nivel të QKUK-së”, tregon Hashani.

Po ashtu, edhe specialisti në QKMF-në në Deçan, Xhavit Rabushkaj thotë se as gjatë vitit të kaluar e as gjatë këtyre muajve të këtij viti, nuk kanë konfirmuar ndonjë rast me pickim nga gjarpri. Rabushkaj tregon se nuk janë të furnizuar me serumin specifik, edhe pse sipas tij kërkesa është bërë.

“Krejt kemi pasur një dyshim, mirëpo nuk mund të them që ka qenë rast konkret që ka qenë i pickuar nga gjarpri. E kemi dërguar në Spitalin Regjional të Pejës dhe nuk është konfirmuar që ka qenë i pickuar nga gjarpri. Në këtë vit, për fat të mirë nuk kemi, asnjë rast… Vitet e mëparshme kemi pasur kundërhelm, iu ka skaduar afati, ato i kemi hedhur, më pas nuk jemi furnizuar. Për momentin, nuk kemi. Kërkesë kemi bërë”, shprehet Rabushkaj.

Edhe drejtori i QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi thotë se nuk kanë antihelm, derisa shton se nuk kanë pranuar asnjë pacient me kafshim nga gjarpri. Derisa nga qendra e vaksinimit në këtë komunë, tregojnë se posedojnë dy-tri doza të këtij serumit.

“Këtë vit e di që jo (nuk ka pasur raste), për vitin e kaluar nuk e di…Ne në QKMF nuk kemi, vetëm spitali e ka”, tha ai.

Ndërsa drejtori QKMF-së në Skenderaj, Bashkim Nura thotë se posedojnë një serum në rast nevoje.

“Jo, te ne sa i përket Qendrës së Mjekësisë Familjare në Skenderaj, nuk kemi raste të kafshimit (nga gjarpri). As këtë vit, as gjatë vitit të kaluar? Jo, nuk kemi pasur… A keni antihelm në QKMF në Skenderaj nëse veç ndodhë ndonjë rast? Antihelm e kemi pasur një dozë të vetme, në rast nevoje”, tha Nura.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në një përgjigje me email për kp ka bërë të ditur se posedojnë sasi të mjaftueshme të serumit në rastet e kafshimit të gjarpërinjve.

Sipas IKSHPK-së çdo QKMF që ka bërë kërkesë është furnizuar me serume.

“Në IKSHPK ka serume të mjaftueshme, të cilat përdoren në rastet e kafshimit të gjarpërinjve. Barnatorja qendrore e SHSKUK-së/QKUK është e furnizuar me serume, si dhe çdo QKMF që ka bërë kërkesë për furnizime me serume, është e furnizuar. IKSHPK ka sasi të mjaftueshme të serumeve për të mbuluar vitin 2024 si dhe ka bërë kërkesë për të mbuluar edhe nevojat për vitin 2025”, thekson IKSHPK.

Para pak ditësh, IKSHPK-ja ka treguar simptomat pas kafshimit të gjarprit dhe jep rekomandime se si duhet të veprohet. Ky institut ka bërë të ditur se në Kosovë jetojnë katër lloje të gjarpërinjve, e ndër ta edhe lloji helmues Vipera ammodytes (gjarpri i gurit, nepërka).

Exit mobile version