Telegrafi

Rreth 100 qytetarë të helmuar në Dibër, perfekti Nexhemdin Shehu jep detaje

Një helmim masiv i qytetarëve ka ndodhur sërish në zonën e Dibrës.

Prefekti i Dibrës, Nexhemdin Shehu tha në një intervistë për Euronews Albania se janë rreth 100 vetë mes të cilëve dhe fëmijë, që janë paraqitur me simptoma të njëjta helmimi dhe kanë marrë shërbim në spitalin e Peshkopisë.

A tregoi se problematike ka qenë situata me banorët e 2 njësive administrative, Fushë Ali dhe Kastriot, të cilat kanë pasur të vjella dhe diarre, kanë marrë shërbimin me serum dhe janë larguar në banesë.

Ditën e sotme, të shtruar në spital janë 5 fëmijë dhe 1 i rritur, bëri me dije prefekti.

“Që nga dje në orët e para ka pasur një fluks të shtuar kryesisht të banorëve të zonave Fushë Ali dhe Kastriot që janë paraqitur në spitalin rajonal, nga dje deri sot janë 100 raste me shenja të lehta të helmimit, të vjella dhe heqje barku. Qytetarët dhe fëmijët kanë marrë serum dhe janë larguar në banesë. 5 fëmijë dhe 1 i rritur janë të hospitalizuar. Nga dje mjekët e familjes kanë marrë kontakt me banorë të zonë, ujësjellës-kanalizimet kanë marrë mostra të ujit për analiza në fshatrat ku janë shfaqur rastet pasi dyshohet te jetë nga uji duke qenë se helmimi është masiv”, tha Shehu.