Kosova në panairin SIAL 2018 që po mbahet në Paris është duke u përfaqësuar me dhjetë kompani të prodhuesve më të mëdhenj ushqimor dhe atë Frutomania, ABI, Devolli Corporation, Ujë Rugova, Eurofood, Agrium, Bodrumi i Vjetër, Elkos (Pi&Ki) dhe Frutex.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht KIESA kanë mbështetur praninë e kompanive kosovare në këtë panair.
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, u shpreh i kënaqur me prezencën e kompanive dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme dhe më të madhe në panairet tjera.
“Ne kemi një produkt shumë kualitativ i cili e meriton që të eksportohet sa më shumë. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë prodhuesve vendor tani dhe në të ardhmen, me shpresë që në katër ditët në vijim sa zgjat ky panair, kompanitë tona të nënshkruajnë sa më tepër kontrata me kompani të huaja për eksport. Puna dhe mbështetja jonë nga ana tjetër, nuk do të ndalet me kaq”, tha Gashi.
Nga ana tjetër, kompanitë e Kosovës që kanë ekspozuar produktet dhe veprimtarinë e tyre në këtë panair, u shprehën mirënjohës për mbështetjen e ofruar.
SIAL është panairi më i madh i ushqimit dhe pijeve në botë, ku sivjet rreth 7,200 biznese nga 120 shtete të botës ekspozojnë produktet e tyre. /Telegrafi/