LAJMI I FUNDIT:

Syndromi antibashkim

Sipas trurit shqiptar – Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, jo vetëm se ekziston, por ende nuk është në rrugën e zgjidhjes “Çështja Kombëtare Shqiptare”. Kjo, është edhe arsyeja kryesore, pse Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 1998 ka miratuar Platformën e saj përkatëse për zgjidhjen e “Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan”.

Mirëpo, shtrohet pyetja, kur, dhe, kush do ta zgjidhë Çështjen Kombëtare Shqiptare: Salih Berisha, Ilir Meta, Alfred Moisiu, Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Pandeli Majko, Edi Rama, Bamir Topi… etj., politika dhe diplomacia e të cilëve qe 20 vjet (1990-2010), jo që e kanë ngritur në ndonjë formë trajtimi a sensibilizimi zyrtar të saj qoftë para opinionit kombëtar publik mbarëshqiptar, qoftë në sfondin e politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare, por e kanë heshtur dhe e kanë pezulluar me të gjitha format dhe mjetet antiligjore, antidemokratike dhe antikushtetuese.


Një përbuzje, një margjinalizim, një shpërfillje dhe një vetëmohim i tillë i së drejtës natyrore, historike, politike, kombëtare dhe demokratike, para së gjithash është në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë: “ Me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar (Preambula),…Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Neni 8, paragrafi 1, pika 1.”

Gjithashtu, injorimi i tillë i “Çështjes Kombëtare Shqiptare” nga ana e ligjit, e politikës dhe e diplomacisë zyrtare të Tiranës, është në kundërshtim flagrant, edhe me Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë së vitit 1998.

*** Ndërkaq, sipas Ilir Metës nuk ekziston “çështja kombëtare shqiptare” në Ballkan!? O tempora o mores!

Ilir Meta (zëvendësministër dhe ministër i Jashtëm aktual i Republikës së Shqipërisë): “Zgjidhja e problemit të të gjitha bashkësive shqiptare në Maqedoni, në Serbi, në Kosovë dhe në Mal të Zi, nuk qëndron në bashkimin e tyre në një shtet të përbashkët, sepse kjo nuk ka kurrfarë gjasash ngaqë sërish shkakton mllefin e së kaluarës.”

Kështu pat deklaruar ish-kryeministri shqiptar Ilir Meta në Konferencën ndërkombëtare të vendeve ballkanike me temë “Strategjia e qeverisjes në fillim të shekullit XXI”, bërë në Athinë të Greqisë, më 4 prill 2001.

Në kuptimin pozitiv politik, kjo deklaratë e Ilir Metës ishte një befasi shumë e madhe për pjesëmarrësit e Konferencës së theksuar. Sidomos u prit mirë nga ana e ish-kryeministrit të ndjerë Prof.Dr.Zoran Gjingjiq, i cili pas takimit dhe duarshtrëngimit me ish-kryeministrin Ilir Meta në Athinë, me t’u kthyer në Beograd, e vlerësoi lart përmbajtjen e deklaratës së kryeministrit shqiptar, duke nënvizuar se: “(1) Tirana nuk mbështet ndryshimin e kufijve; (2) Për kryeministrin shqiptar Ilir Meta nuk ekziston kurrfarë çështjeje kombëtare shqiptare, por vetëm probleme të shqiptarëve, të cilat duhet të zgjidhen në kuadrin e atyre vendeve ku jetojnë shqiptarët: në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi, duke theksuar se, një qëndrim i këtillë i Tiranës, do t’i shkurajojë ekstremistët shqiptarë; Ardhmëria e shqiptarëve nuk qëndron në ndryshimin ose në përforcimin e kufijve, por në reduktimin e tyre, që është në dobi të qarkullimit të kapitalit, të lëvizjes së njerëzve dhe të koekzistencës së tyre.”[3]

Duke qenë se për Ilir Metën “nuk ka ndryshim të kufijve” dhe, “nuk ka çështje të pazgjidhur shqiptare”, ish-kryeministri serb Zoran Gjingjiq, vuri në dukje faktin se: “ Ky është një hap i shkëlqyer i Tiranës, i cili i shkurajon ekstremistët, duke i lënë me gishta në gojë. Këtë moment oportun, bashkësia ndërkombëtare, duhet ta shfrytëzojë shumë më energjikisht sesa deri tani, në mënyrë që, në praktikë të dëshmojë ndërprerjen e të gjitha kontakteve me ata politikanë, që vënë në pikëpyetje ndryshimin e kufijve. Kjo do të thotë se shumica e partive politike në Kosovë, duhet të ridefinojnë platformën e tyre politike, dhe, popullit t’ia thonë të vërtetën, se e vërteta është kjo, bota është kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër krijimit të shteteve të reja të pavarura, sidomos me bazë të jotolernacës etnike.”

Sipas këtij konstatimi entuziast të Zoran Gjingjiqit, të bazuar në deklaratën skandaloze antidiplomatike dhe antikombëtare të homologut të tij, Ilir Meta, se Tirana “nuk mbështet ndryshimin e kufijve”, del se, edhe partitë politike shqiptare në Kosovë, duhet të ndryshojnë platformat e tyre politike, në përputhje me këtë platformë antikombëtare të politikës dhe të diplomacisë zyrtare të Tiranës, në mënyrë që, të heqin dorë nga realizimi i idesë dhe i synimit për pavarësimin e Kosovës, njohja e së cilës nënkupton edhe ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës.

Pavarësisht nga dëshira dhe “konicidenca e rastësishme” e diplomacisë së boshtit Beograd-Tiranë, që të mos ketë ndryshim të kufijve në Ballkan, kur është fjala për Kosovën dhe për vendet e tjera të Shqipërisë Etnike në Ballkan, në këtë rast, edhe pse ish-kryeministri serb Prof.Dr. Zoran Gjingjiq ishte njohës i shkëlqyer i filozofisë politike, ai ka dështuar në parashikimin politik të tij, se “bota nuk do të lejojë ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe kundër krijimit dhe njohjes së shteteve të reja të pavarura mbi bazën etnike.”

Këtë konstatim të tij të gabuar, e përgënjeshtroi pavarësimi i Kosovës më 17 shkurt 2008, si dhe njohja e saj nga ana e bashkësisë ndërkombëtare (Amerika, Bashkimi Evropian dhe shumë shtete të tjera- 64 vende). Statusi i sotëm i Kosovës së pavarur dhe sovrane de facto dhe de jure provon ndryshimin e kufijve të Ballkanit pikërisht në pajtim me aktorët dhe faktorët kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare (Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian).

Pra, ia vlen ta përkujtojmë Ilir Metën (zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm aktual i Shqipërisë), se me pavarësimin e Kosovës, të Maqedonisë, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Malit të Zi të Bosnjë e Hercegovinës, kanë ndryshuar kufijtë në Ballkan.

Mirëpo, fatkeqësisht, këtë realitetit faktik gjeopolitik, nuk kanë qenë në gjendje ta shohin dhe, ende nuk janë gjendje ta pranojnë politika e jashtme dhe diplomacia zyrtare e Tiranës, e keqdrejtuar nga kryemenxherët e saj të dështuar të fundshekullit XX dhe të fillimshekullit XXI (1990-2010): Sali Berisha, Ilir Meta, Alfred Moisiu, Besnik Mustafaj, Pandeli Majko, Fatos Nanos dhe Bamir Topit… etj., të cilët, gjatë mandateve të regjimeve të tyre pushtetore zyrtarisht janë deklaruar kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht të bashkimit të Shqipërisë Etnike.

Ndryshe nga këta “dishepuj” të politikës dhe të diplomacisë së dështuar në “mbrojtje të mosndryshimit të kufijve” dhe të moszgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, Akademia e Shkencave e Tiranës me të drejtë dhe, në mënyrë të peshuar, ka vlerësuar se ende nuk është zgjidhur çështja kombëtare shqiptare në Ballkan.