LAJMI I FUNDIT:

Në dyshim ndërtimi i hidrocentralit në Zhur

Në dyshim ndërtimi i hidrocentralit në Zhur

Projekti për ndërtimin e një hidrocentrali me kapacitet prej 305 megavatësh në Zhur tashmë është në dilemë nëse mund të realizohet, pasi sërish është vënë në dyshim nëse ai është ekonomikisht i arsyeshëm. Një grup teknik i krijuar nga Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik do të analizojë nëse ndërtimi i këtij projekti është ekonomikisht i favorshëm.

Tash e dy vjet nuk është bërë asnjë hap drejt realizimit të këtij projekti, që sipas një studimi të kryer në vitin 2009, ka rezultuar se ky hidrocentral mund të ketë kapacitet prej 305 megavatësh.

Edhe më parë ishin ngritur dyshime nëse projekti ishte i favorshëm për t’u ndërtuar. Dyshimet kryesore për projektin ishin: afati i kufizuar i shfrytëzimit të energjisë së prodhuar nga ky hidrocentral, që është në shpërputhje me investimin e nevojshëm dhe si pasojë e saj edhe çmimi i lartë i energjisë së prodhuar.

Një grup i ekspertëve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, gjatë vitit 2012, i kishte rishikuar rezultatet e studimit të fizibilitetit për këtë projekt.

Në fillim të vitit 2012, zyrtarë nga kjo ministri kanë thënë se shqyrtimi i ekspertëve ka përfunduar dhe se pritet që projekti të mbetet i njëjtë, pra me kapacitet prej 305 megavatësh.

“Duke u bazuar në konsultimet që ka bërë me ZRrE, KEK, KOSTT, PATEL, të cilat kanë rishikuar projekti e HC në Zhur, MZHE-ja ka marrë vendim që projekti të mbetet i tillë çfarë është, d.m.th. që aktualisht të mos ketë ndryshime”, kishte thënë Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, në muajin janar të vitit 2012.

Por tashmë duket se do të ketë një proces tjetër të rishqyrtimit të këtij projekti.

Kurse tashmë ky projekt ka kaluar në kompetencë të Grupit Nacional për Zhvillim Ekonomik. “Projekti i hidrocentralit në Zhur është trajtuar në Grupin Nacional për Zhvillim Ekonomik. Po ashtu aty është marrë vendim që të formohet një grup teknik që do të analizojë të gjitha opsionet dhe dokumentet që kanë në dispozicion institucionet, duke marrë parasysh edhe arsyeshmërinë ekonomike”, ka thënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

“Po ashtu ata do të analizojnë edhe mundësinë e përfshirjen e teknologjive të reja, sepse ka qenë në dilemë kapaciteti i tij prodhues dhe aspekti i arsyetimit të investimeve”, ka shtuar ai.

E kur këto analiza të përfundojnë, ministri ka thënë se do të merret një vendim rreth fatit të këtij hidrocentrali. “Pas një analize të tillë sigurisht që ne do të marrim një qëndrim për këtë projekt”, ka thënë Beqaj.

Përveç kontestimit nga ana ekonomike, procedimi i projektit të HC në Zhur ishte vështirësuar edhe për shkak të mungesës së një marrëveshjeje me Shqipërinë për ujërat. Ndërtimi i hidrocentralit në Zhur ishte vënë në pikëpyetje pas vendimeve të Qeverisë së Shqipërisë për dhënien e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në pjesën e vet, por me ujërat që rrjedhin nga Kosova.

Të njëjtat ujëra ishin planifikuar të prodhonin energjinë elektrike edhe në Kosovë. Këto ujëra në bazë të studimit të fizibilitetit për HC në Zhur do të akumuloheshin në basenin e Breznës, e që do të përdoreshin për prodhimin e energjisë në Zhur. Deri më tani nuk ka një marrëveshje në mes të dy shteteve.

Në vitin 2001 ishte kryer një studim i fizibilitetit për hidrocentralin e Zhurit, por që është rishikuar gjatë vitit 2009, nga kompania kroate “Elektro-Projekt Zagreb”. Hidrocentrali i Zhurit, sipas këtij studimi, parashihej të kishte kapacitet prej 305 MW. Hidrocentrali, sipas studimit, parashihet të punojë rreth 1.500 orë në vit, me një prodhim vjetor prej 400 GWh. Pra do të punojë vetëm në orët e pikut. Në studimin e rishikuar të fizibilitetit për këtë projekt thuhet që janë 225 objekte, të cilat duhet të shpronësohen. Janë rreth 200 objekte në fshatin Brezne, në vendin ku do të akumulohet baseni, dhe rreth 25 objekte të tjera në fshatin Zym. Përveç tyre pritet të shpronësohen edhe disa objekte biznesi, si dhe dy shkolla dhe një shtëpi e shëndetit.

Në raportin e Bankës Botërore është thënë se Kosova duhet të vazhdojë me projektet për të rritur energjinë e ripërtëritur, shkruan Koha Ditore.

Po ashtu edhe Bashkimi Evropian këmbëngul që Kosova të mos mbështetet vetëm në energjinë e prodhuar nga linjiti, por duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi prodhimit të energjisë së ripërtëritur. “Energjia është njëri nga problemet e zhvillimit ekonomik këtu. Banka Botërore pati një konferencë për energjinë alternative. Nuk mund të mbështeteni në energji njëburimore. Kjo do të ishte e rrezikshme. Kjo është një nga çështjet”, ka thënë Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë, në një intervistë për “Kohën Ditore”. /Telegrafi/