LAJMI I FUNDIT:

Lëshohet në përdorim ‘Stacioni Filtrues’ në Gostivar

Lëshohet në përdorim ‘Stacioni Filtrues’ në Gostivar

Kryetari i komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, ministri i Drejtësisë Adnan Jashari dhe deputetet e zonës, solemnisht e lëshuan në përdorim stacionin e filtrimit në ujësjellësin e Gostivarit, një projekt jetik dhe që heq qytetin e Gostivarit nga lista e qyteteve të Maqedonisë që uji për pije arrin deri tek qytetarët pa kaluar një filtër pastrimi.

Bejta potencoi që prej sot qytetarët e Gostivarit do të pinë ujë të filtruar dhe të shëndetshëm.

“Sot një ditë e veçantë për të gjithë qytetarët e Gostivarit, e sidomos për ata të cilët me ujë të pijshëm furnizohen përmes ujësjellësit të qytetit, duke zgjedhur një ndër problemet me rëndësi jetike për qytetarët e Gostivarit prej tridhjetë vitesh. Për mua si kryetar komune është një kënaqësi e madhe që sot bashkë me ministrin e mjedisit jetësor, Nurhan Izairi ta lëshojmë në përdorim stacionin filtrues këtu në fshatin Vërtok, u shprehu kryetari Bejta duke shprehur me këtë rast falënderim edhe për ministrat e mëhershëm të Ekologjisë që ndihmuan në realizimin e këtij projekti jetik për banorët e Gostivarit.


Ai po ashtu njoftoi se ky Stacion Filtrues do të filtron i gjithë ujin që do të qarkullon përmes sistemit kryesor të ujësjellësit me të cilin furnizohet qyteti dhe vendbanimet përreth qytetit.

“Projekti ka kushtuar 2 milion euro dhe u investua nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Komuna e Gostivarit bëri blerjen e tokës ku u ndërtua objekti i Stacionit Filtrues, si dhe në ndërtimin e Trafo Stacionit nga ku objekti furnizohet me energji elektrike. Ndërmarrja Publike Komunale ka bërë ndërlidhjen e gypave të ujit me Stacionin Filtrues. Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Komunale investuan rreth 100 mijë euro për përfundimin e këtij projekti kapital për banorët e Gostivarit”, shtoi kryetari Bejta.

Në fjalimin e tij, ministri Nurhan Izairi shprehu kënaqësi që me finalizimin e këtij projekti një herë e përgjithmonë u zgjidh problemi me sigurimin e ujit të pijshëm cilësor për qytetin e Gostivarit dhe vendbanimet përreth.

“Vlera e projektit, “Projektimi dhe ndërtimi i stacionit të filtrimit në kuadër të sistemit për furnizim me ujë në Gostivar”, është 123 milionë denarë, kurse mjetet për realizimin e tij i siguroi Ministria e Ekologjisë”, tha Izairi.

Me zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatrat Çegran dhe Forinë, është paraparë që Stacioni Filtrues të zgjerohet edhe me një aneks i cili do të ris kapacitetet e Stacionit Filtrues. Projekti ekziston, po ashtu edhe leja për ndërtim dhe lokacioni ku duhet të zgjerohet.

Duhet theksuar se falë bashkëpunimit me pushtetin qendror, e sidomos me institucionet ndërkombëtare, siç është agjencia zvicerane SECO dhe Banka Gjermane KFW, punët dhe aktivitet tjera të nevojshme janë duke rrjedhur shumë mirë dhe pritet që gjatë vitit 2016 të bëhet edhe zëvendësimi i gypave të azbestit me gypa PVC, duke e përmbyllur projektin më të madh në Komunën e Gostivarit në 3-4 dekadat e fundit, thonë nga kjo komunë.