LAJMI I FUNDIT:

Z. Yves de Kermabon, “korrupsioni brirë s’ka”

Deri para një kohe pata menduar se shefi i Eulex-it, z. Kermabon, është i paaftë për ta kryer punën për të cilën paguhet goxha mirë. Gjë të cilën edhe publikisht e pata thënë në Kuvendin e Kosovës, më 3 dhjetor të vitit të kaluar, kur u debatua “Raporti i Komisionit Evropian për Progresin në Kosovë, për vitin 2009”. Në atë seancë pata kërkuar që z Kermabon të përjashtohet nga posti i shefit të EULEX-it si i paaftë për të kryer këtë detyrë. Këtë kërkese e pata bërë pastaj edhe disa herë edhe gojarisht por edhe me shkrim te institucionet e ndryshme relevante, duke u thirrur në nenet 2; 8 dhe 11 (por edhe nenet tjera) të Statutit të EULEX-it.

Mirëpo, kohën e fundit kam filluar të dyshoj se mos z Yves de Kermabon me stafin e vet janë të involvuar në korrupsion. Dyshimin ma dha vet z Kermabon kur deklaroi se “kërkon fakte e jo fjalë për ta luftuar korrupsionin” dhe më pastaj kur shprehu dëshirën për të qëndruar edhe dy vjet në Kosovë!? Pra, në njërën anë në mënyrë të tërthortë aludon se s’ka korrupsion dhe në anën tjetër dëshiron të rrijë edhe nja dy vjet në Kosovë (në EL Dorado).


Është idioteske të kërkosh fakte për korrupsionin në Kosovë e të mos gjesh. Kjo është njëjtë sikurse të kërkosh rërë në Saharë e të mos gjesh. Ngase ka të sillesh hasë në korrupsion. Andaj jo rastësisht Komisioni i UE-së (që është eprori i z Kermabon sepse presidenti i Komisionit të UE-së është edhe anëtar i Këshillit të UE-së, institucionit që e krijoi EULEX-in) në raportin e vet tha se në Kosovë “jo vetëm që ka korrupsion por ai është edhe në rritje bile”. Por ja që për të punësuarin e tyre (i cili nuk ka respekt për shefat e vet) nuk paska korrupsion por vetëm fjalë!

Ngjashëm thanë edhe institucionet e ndryshme serioze ndërkombëtare. Ngjashëm po themi edhe të gjithë ne të cilët po jetojmë në Kosovë. E si mund të thuash “duam fakte” kur fakte janë gjithkund! Ja bie fjale, tenderi për operatorin virtual, që do t’ia ulë vlerën PTK-së me qindra miliona euro.

Siç dihet, në vitin 2008 tenderin shumë kontravers për operatorin virtual të telefonisë mobile e pati fituar ndërmarrja “Dardafon” përkundër shumë kundërshtimeve jo vetëm nga shoqëria civile por edhe nga vet menaxhmenti i PTK, të cilët kundërshtuan fuqishëm derisa “komisarët politikë” nuk i “bindën për përfitimet që do t’i ketë PTK dhe (kuptohet) Kosova me këtë tender”.

Sidoqoftë, u bë si u bë, më kot që kundërshtuam ne, tenderin e fitoi “Dardafon”. Por çuditërisht, “Dardafon” ishte fitues zyrtar deri në janarin e këtij viti, kur papritmas në skenë na doli një ndërmarrje tjetër me emrin “Dardafon.net”, e cila fare nuk kishte konkurruar në tender. Mirëpo, përsëri dolën “komisarët politikë” dhe ua shpjeguan opinionit se ‘“Dardafoni” dhe “Dardafon.net” janë një, sepse ashtu ishin marrë vesh në mes veti aksionarët’.

Për habi këto arsyetime groteske të cilat pastaj me krenari i përsëritnin zyrtarët, që nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, PTK e deri te udhëheqësit e dyshimtë të ART-së, ekspertët nga EULEX-i nuk i kundërshtuan. Pse nuk i kundërshtuan këto arsyetime (ofenduese për inteligjencën e çdo kujt që merr vesh pak në këto gjëra) mund të jenë dy shpjegime: ose faji është te përkthyesit që nuk i kanë përkthyer tamam ose se edhe EULEX-i është i invovluar. Sepse arsyetim tjetër s’ka. Të thuash që ekspertët e EULEX-it nuk e dinë se çka është ndërmarrja dhe çka aksionarët, një gjë e tillë nuk mundet.

Sidoqoftë, t’i kthehemi arsyetimit zyrtar se ”Dardafon” dhe “Dardafon.net” janë të njëjta sepse aksionarët e konzorciumit janë marrë vesh mes vete”. Këtu vetvetiu lind pyetja se pse z Kermabon (me bashkëpunëtorët e vet) pas gjithë asaj zhurme nuk e kishte kontrolluar dokumentacionin?! Sepse, sikurse ta kishin kontrolluar aty do ta kishin vërejtur se: “Dardafon” është regjistruar në ARBK (Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës) si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara (L.L.C – Limited Liability Company); me numër biznesi 70401181; me adresë “Rr Vëllazërim Bashkim”; Nr = 168, Pejë. Dhe e licencuar për operator virtual në vitin 2008.

Po ashtu edhe “Dardafon.net” është regjistruar në ARBK si: shoqëri me përgjegjësi të kufizuara; me numër biznesi 70540878; me adresë “Miradi e Epërme – Fushë Kosovë”. Dhe e licencuar për operator virtual në janar të vitit 2010.

Pra z Kermabon do ta shihte se kemi të bëjmë me dy ndërmarrje me përgjegjësi të kufizuara krejtësisht të ndryshme. Këto dy ndërmarrje pra janë jo konzorciume por shoqëri me përgjegjësi të kufizuara. Z Kermabon e dini se këto ndërmarrje në Francë njihen si SARL ( Société à Responsabilité Limitée). Dhe, njëjtë edhe në Kosovë sikurse edhe në Francë, shoqëria me përgjegjësi të kufizuar është person juridik e cila është juridikisht e ndarë edhe e dallueshme nga pronarët. Kështu thotë “Ligji për Shoqëritë Tregtare,” ligj i cili është përkthyer tekstualisht në gjuhën shqipe nga legjislacioni i UE-së.

Pra kemi me një rast eklatant ku një tender sa i rëndësishëm (që vlen qindra milion euro) po aq i dyshimtë që nëstart, e fiton një ndërmarrje fillimisht, dhe kontrata pastaj nënshkruhet me një ndërmarrje krejt tjetër e cila fare nuk ka konkurruar. Dhe merre me mend ekselenca e tij, z Kermabon, kërkon “fakte e jo fjalë”. Po ngjashëm, kam filluar të dyshoj edhe në kryeprokurorin Theo Jacobs. A është e mundur ai të mos e dijë se kompanitë me përgjegjësi të kufizuara janë ato që konkurrojnë në tenderë e jo aksionarët. Për arsye se kompania është entitet i pavarur juridik dhe e ndarë nga aksionarët. Për ta ditur këtë nuk duhesh të jesh njohës i madh i ligjit sepse kushdo që ka pak njohuri gjenerale e dinë!

Andaj, shtrohet pyetja logjike pse nuk u burgosën “peshqit e mëdhenj”, deri më tani? Vetëm ky rast jep fakte të bollshëm për tu burgosur shumë udhëheqës të institucioneve shtetërore! Dhe nëse top-qeveritarët (peshqit e mëdhenj) nuk janë burgosë deri më tani për çfarëdo arsye politike (të sigurisë), atëherë pse nuk është ndërmarrë asgjë ndaj atyre më të “vegjël”?! Pra udhëheqësve në PTK dhe ART, për cilindo nga ata fakte ka sa të duash, përpos nëse edhe vet nuk është i involvuar z Kermabon dhe të tjerët nga EULEX-i.

Nuk është ky rast i vetëm në PTK, ku shihet ashiqare që ligji shkelet për përfitime personale dhe grupore. Ndër tjera, është edhe rasti kur kryeshefi ekzekutiv, z Haxha, Universitetit të Kentit, institucionit i cili edhe më tutje e punëson atë zyrtarisht, i jep tender prej afro 400.000 euro pa i përfill procedurat. Sigurisht se këtë e ka bërë ai për t’ju laritur dhe mbajtur afër atë institucion, sepse puna në PTK është e përkohshme. Prandaj nuk e ka sjell as familjen në Kosovë.

Ngjashëm z Kermabon i ke edhe ndërmarrjet tjera publike. Vet fakti se KEK vjet dha tenderët një burimor 21 milion euro, se më fatlumja në tenderë ishte kompania “ACDC- Kos” e cila pas pak muajve të regjistrimit (krijimit) si kompani merr tenderë me vlerë mbi 10.5 milion euro.

Këso fakte ke ka të sillesh. Mjafton t’ia hedhsh një sy, z Kermabon, tregtisë (importit) me mish të pulës; apo ta studiosh praktikën e tenderëve me “çmim ekonomikisht më të favorshëm” në MTPT; apo tenderëve njëburimorë; apo hiperpunësimin në NP me “kontratë mbi vepër”. E mos të flasim për ministrinë e Shëndetësisë, ku kofshët e pulës që kushtojnë 1.5 euro faturohen 2 euro, apo buka që kushton 15 cent atje është faturuar 25 cent. Me fjalë tjera me këso gjëra banale, pa u fut në krimin më të madh ku nga prona e QKUK, e cila ishte 50 hektarë, tashti nga tjetërsimet dhe uzurpimet ka mbet rreth 30 hektarë.

Krejt në fund nëse edhe më tutje nuk shihni fakte të korrupsionit z Kermabon dhe ju nuk jeni i involvuar në këto maskarallëqe, unë të këshillojë “jarani jem qu ec pej shpie e mos na hup vakt mo” . Kurse Këshillit të UE-së kisha me i lutë që pasardhësin e z Kermabon ta zgjedhin dikë që e njeh punën, që është në mes të karrierës dhe që edhe më tutje ka ambicie.

(Autori është deputet i pavarur)

Në trend

Më shumë
Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Lajme
Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë -  kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë - kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Lajme
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Kalo në kategori