LAJMI I FUNDIT:

Termocentrali “Kosova e Re”, në vitin 2018

Termocentrali “Kosova e Re”, në vitin 2018

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” siguron energji të mjaftueshme për konsumatorët dhe njëherësh largon varshmërinë e Kosovës nga importi i energjisë nga vendet rajonale, me çmime shumë të larta, thonë njohës të çështjeve energjetike.

Vendimi për ndërtimin e këtij projekti, ka filluar para tetë vjetësh, menjëherë pas formimit të, atëherë, Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, por ky projekt vazhdimisht është zvarritur.

Ndërsa, gjatë këtij muaji, ekzekutivi i vendit ka aprovuar dokumentet e tenderit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të realizohet me partneritet publiko-privat.

Autoritetet kompetente planifikojnë që dorëzimi i ofertave nga investitorët të ndodhë në fund të këtij viti, ndërsa zgjedhja e kompanisë fituese parashihet në janar të vitit 2014. Kurse, në dhjetor të po të këtij viti, pritet të fillojë edhe ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”

Palokë Berisha, njohës i çështjeve energjetike, deklaron për Radio Evropa e Lirë se autoritetet kosovare janë vonuar në fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, por shprehet optimist se vitin e ardhshëm punët do të nisin në terren.

“Unë llogaris se për çdo vit e më shumë kemi nevojë për më shumë energji, sepse energjia te ne shpenzohet në mënyrë joracionale dhe kemi humbje të mëdha teknike”.

Ndryshe, Komiteti Drejtues për Termocentralin “ Kosova e Re” planifikon që në vitin 2018 të hyjë në operim njësia e parë, ndërsa gjashtë muaj më vonë, edhe njësia e dytë.

Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji, kanë kundërshtuar vazhdimisht ndërtimin e Termocentralit e “Kosova e Re”.

Nazim Haliti, nga ky konsorcium, thotë se duke u bazuar në problemet që e kanë përcjellë këtë projekt, dhe neglizhencën e autoriteteve kompetente, ndërtimi i termocentralit nuk do të fillojë në periudhën e caktuar.

Sidoqoftë, në garë për ndërtimin e këtij termocentrali janë katër konsorciume ndërkombëtare, që thuhet se i kanë përmbushur kriteret për realizmin e projektit.

Lidhur me këtë, Palokë Berisha, konsideron se autoritetet kompetente, me ligjet ekzistuese, duhet t’ia imponojnë kompanisë fituese që të jetë e përgjegjshme karshi projektit.

Projekti ka pësuar ndryshime, duke u bërë ndarja e Termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese e projektit “Kosova e Re”. Sipas kësaj pakoje, Termocentrali “Kosova e Re”, do të ketë kapacitet prej 600 megavatësh. /Telegrafi/