Çdo gjë e natyrshme është tërheqëse. Krijim i natyrës! Kush di t’i vlerësojë i ruan e kush jo i shkatërron ato. Mbijetesa e saj varet nga dora e njeriut. Ndaj, nuk do duhej të vinte në shprehje thënie indiane: “Dikur njeriu i është frikësuar natyrës ndërsa sot natyra i frikësohet njeriut”.
Një monument i veçantë, me elemente të veçanta gjendet në mesin tonë në Gadime të Lipjanit. Quhet Shpella e Gadimës ose Shpella e Mermertë. Për ta vizituar brendësinë e saj të duhen vetëm pak minuta, mirëpo për të dëgjuar ciceronin dhe për të parë nga afër çdo stalaktit dhe stalagmit, kjo të merrte kohë më shumë.
Pikat si fat…
Pikat e ujit rridhnin mbi kokat e vizitorëve, e kjo nga ciceronët shpjegohej si ‘fatsjellës’.
Ciceroni i shpellës, Fahri Tasholli, bashkë me Oso Gjinovcin bënin shpjegimin dhe me shumë kënaqësi tregonin për veçoritë e shpellës.
Përderisa ecnim nëpër “rrugët” e saj, të kapte syri figura të ndryshme të krijuara natyrshëm nga procesi kimik.
Tasholli, me shumë entuziazëm bënte shpjegimin e çdo pjese, pasi ai është njëri ndër punëtorët më të vjetër në shpellë – qysh nga viti 1971, kur edhe ka filluar hulumtimi rreth Shpellës së Gadimes.
“Në vitin 1971 kam filluar të punoj këtu, me hulumtim të punës që ka zgjatur deri në vitin 1976. Në këtë vit është hapur shpella për vizitorë. Puna ime vazhdoi si ciceron. Këtë shpellë së pari e ka zbuluar një fshatar rastësisht, duke nxjerr gurë në kopshtin e tij”, thotë ai për Telegrafin.
Sipas tij, afër 2000 metra katrorë hapësirë janë rregulluar për ata që dëshirojnë të vijnë.
“Për turistë kemi rregulluar afër 2000 metra katrorë. Shpella i ka dy kate. Çdo gjë këtu është e veçantë. Duken si stoli prej akujve, edhe pse janë të mermerit. Uji atmosferik, i cili kur bie në kontakt me ajrin përmes çarjeve të ndryshme tektonike, avullohet, e pastaj bëhet kondensimi i bikarbonatit të kalciumit. Nëse muri është vertikal aty qëndiset me ujëvarën gurore, e nëse muri është i pjerrët aty formohen perde, e nëse është horizontal – aty formohen stalaktite dhe stalagmite”, shpjegoi ciceroni, i cili shtoi po ashtu se kati i dytë i shpellës ende nuk është i rregulluar për vizitorë. “ Për në katin e dytë nuk e dimë se si do të bëhet hyrja. Njëra nga variantet është që t’i hapim disa zgavra e që vizitorët të mund ta shohin katin të ndriçuar”.
E vetmja shpellë e mermerit në Evropë…
Po ashtu, ai tha se kjo është e vetmja shpellë e mermerit e zbuluar në Evropë.
“I kemi dy zona – atë të mermerit dhe shkrisave paleozoike të mermerit. Është e vetmja shpellë e zbuluar në Evropë prej mermeri, sepse tjerat janë gëlqerore”, tha ai, e përderisa kalonim nëpër shpellë, ndaluam tek një vend përrallor, ku çdo gjë shkëlqente.
Fahri Tasholli
Kjo është salla koncertale. E mban këtë emër për shkak të akustikës. Shumë këngëtarë vijnë nga Shqipëria dhe Kosova për të bërë incizimet e këngëve të tyre”, thotë ai, teksa bisedën e ktheu tek gjallesat – lakuriqët e nate “Bretkosa dhe peshq ka pasur, e tani ka lakuriqë nate. Mungesa e këtyre gjallesave bëhet nga që lumi derdhet përmes Shpellës së Gadimes, mirëpo ky kanal është mbyllur. Kemi edhe liqene në shpellë – të vegjël dhe të mëdhenj. Njëri nga liqenet është në 20 metra thellësi e ndoshta edhe më shumë”, thotë Tasholli.
Oso Gjinovci
Korridoret ishin në formë labirinti. Duhej kujdes gjatë ecjes. Muret e mermerta shpesh bëheshin pengesë për ecje të lirshme. Ishin të ulëta. Për të shikuar një tjetër “sallë” të bukur duhej një përkulje e lehtë dhe sytë të shkonin tek një ndriçim i hatashëm. Dukej sikur je duke parë gjithësinë me shumë yje të cilat të jepnin përshtypjen e një balloje magjepsëse.
Udhëtimi vazhdoi nëpër korridoret tjera të shpellës. Ndaluam tek “Fontana e Dëshirave”. Aty vizitorët gjuanin monedha për fat. Më tutje ishte një tjetër figurë ajo e shqiponjës me hartë të Kosovës, por nuk mungonte as pasqyrimi i Nënës Tereze në një tjetër mermer. Kështu, figura të ndryshme shikoje në çdo cep të saj.
Ciceroni vazhdimisht jepte shpjegimin e tij për këtë shpellë, që dukej sikur ishte pjesë e pandashme e jetës së tij. Fjalia e tij më e shpeshtë ishte: “Shikoni këtë mrekulli, a nuk është e bukur”?
Duke ecur nëpër labirintet e shpellës të cilat për Tashollin ishin rrugët e tij rutinore, ai na shpjegoi për stalaktitet dhe stalagmitet.
80 milionë vite të shpellës dhe një milion të tjera për t’u bashkuar Romeo me Zhulietën…
“Nga stalaktitet dhe stalagmitet formohen stalagnjatet apo shtyllat e shpellave. Stalaktitet e kanë nga një zgavër në mes dhe përmes zgavrës pikon uji. Duke pikuar e duke u avulluar dhe karbonizuar formohet mermeri. Në libra shkruan që një milimetër rritet për 30 mijë vite. Supozohet që shpella është e vjetër 80 milionë vjet d.m.th është formuar në kohën e Terciarit apo para tërheqjes së detit Panonik apo liqenit të Kosovës. Përveç stalaktiteve, stalagmiteve, mullarëve, paraqiten stolitë më të bukura në botë që quhen aragonite”, thotë ai. “Kanë qenë shkencëtar nga e tërë bota dhe nuk kanë mundur të vijnë me një teori se pse janë formuar ato. Ato formohen në kundërshtim me gravitetin. Ndoshta këtu ka ndonjë fushë magnetike”.
Mendohet që liqeni, kur të rregullohet, të kalohet me varka. Pjesa poshtë liqenit quhet Fyti i Shpellës. Në shumë vende është bërë hapja në mënyrë mekanike. Gjatë punës ka edhe kristale të dëmtuara.
“Nuk punohet më asisoj”, thotë ciceroni për Telegrafin, duke na drejtuar tek një vend i cili quhet Familja e Shpellës, sepse aty paraqiteshin shumë forma të shpellës.
Në vazhdën e ecjes ndaluam tek i shumëpërfoluri stalaktit dhe stalagmit mistik – “Romeo dhe Zhulieta”. Këtu, bashkë me Tashollin, ishte edhe Oso Gjinovci, të cilët njëzëri thanë: “Për t’u bashkuar këta dy duhet të presim edhe një milion vite”.
Ata thanë se janë duke shikuar mundësinë e demantimit se stalagmiti për një milimetër rritet në 30 vite.
“Para 40 viteve e kam vendosur një stalagmit dhe është rritur për një centimetër”, sqaroi ai, duke treguar disa stoli të bukura që valëviteshin mbi mermerin e liqenit. “Quhet Shiu mbi Liqen. Vërejini disa kanale të holla: ato janë stolitë më reja të shpellës. Uji, duke ardhur nga poshtë, has në ngrohje. Këtu do jetë vazhdimi natyror i shpellës, sepse 20 metra rrëshqitas të shkosh përtej liqenit hasim në salla të mëdha brenda”.
Miti për lepurin dhe zagarin…
Një legjendë e treguar nga gadimasit thotë: ‘Ka hyrë një lepur me një zagar dhe ka dal në Janjevë’. Mbetet hipotezë. Por, ciceronët thonë se po hasin në gjëra të reja që nuk janë parë kurrë.
“Kjo rrugë e njëjtë është vetëm 10 metra dhe vizitorët që për herë të parë vijnë nuk e vërejnë që po shkojmë dy herë në të njëjtën rrugë”, tha Tasholli.
Një tjetër sallë e bukur është me myshqe. Kjo ka ndodhur për shkak të dritës së reflektorit që ka ndikuar në fotosintezë.
“Drita natyrore e shpellës është errësirë absolute”, tha ai, duke na e dëshmuar këtë me fikjen e dritave.
Drejtori i këtij monumenti me rëndësi të veçantë, Përparim Gashi, thotë se shpella ka bërë progres për 100 për qind.
“E vërtetojmë edhe me numrin e vizitorëve që kemi pasur. E kemi përmbyllur vitin 2015 me mbi 70 mijë vizitorë. Tarifat e biletave janë shumë të lira, vetëm 50 centë”, tha ai, duke shtuar se janë bërë renovime të shumta në këtë vend. Ai po ashtu shtoi se janë në fazën e hulumtimeve dhe zgjerimit të galerive.
“Muajin e kaluar kemi bërë një hulumtim me një gjeolog francez me të cilin kemi ardhur në disa përfundime interesante. Kjo shpellë është e veçantë në aspektin gjeologjik dhe spelologjik, sepse është e vetmja në rajon në shkëmbinjtë të mermerit. Shumica e shpellave, në të gjithë botën, janë shkëmbinj gëlqerorë në 99.99 për qind të rasteve”, tha drejtori, sipas të cilit në shpellë ka pasur jetë. “Do të vazhdojmë edhe hulumtimet në aspektin e zhvillimit të jetës. Kemi hasur në kafka dhe relikte tjera, fosile që ne besojmë se janë njerëzore. Do të bëjmë një studim këtë vit për ta parë se në çfarë periudhe gjeologjike është dhe kur ka pasë jetë në shpellë”.
Përparim Gashi
Gashi po ashtu tha se shpellën e vizitojnë edhe vizitorë përtej Oqeanit Atlantik, nga Amerika Jugore dhe Veriore.
“Shpella është e njohur për dy arsye: është mermer dhe brenda kësaj hapësire mund të hasim të gjitha format e mundshme nëntokësore, duke filluar nga galeritë, humnerat, kanaleve, liqeneve nëntokësore, stalaktiteve, stalagmiteve dhe aragoniteve”, thotë ai.
Momentalisht, stafi përbëhet nga 10 punëtorë, nga të cilët janë katër ciceronë. Shpella mbikëqyret nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, në kuadër të Agjensionit të Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit.
Ndër tri shpellat më të mira në botë…
Kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit është Ilir Morina, në intervistën për Telegrafin ai tregoi se kjo agjenci bënë monitorimin e të gjithë mjedisit të Republikës së Kosovës.
Ilir Morina
“Bëjmë mbrojtjen e të gjithë sektorëve, përfshirë cilësinë e ajrit, ujit, tokës, zonat e mbrojtura të natyrës, parqet kombëtare, monumentet e natyrës dhe të gjitha dukuritë hidrometeorologjike – përfshirë edhe planin hapësinorë. D.m.th., çdo cep të Kosovës, çdo dukuri që shfaqet në ndryshim të cilësisë së mjedisit në përgjithësi. Në kuadër të saj funksionojnë Instituti Hidrometeorologjik, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, Instituti për Planifikim Hapësinor, parqet kombëtare si Mali i Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna që janë zona mbrojtëse të natyrës në nivel kombëtar”, tha ai, duke shtuar se në këtë Agjenci mbikëqyren edhe monumentet e natyrës, përfshirë Shpellën e Gadimes si margaritar kryesor të natyrës.
Ai tha po ashtu se ende nuk kanë filluar me menaxhimin në të gjitha monumentet tjera, përfshirë gryka, peizazhe, sistemin informativ mjedisor etj. Morina thekson se Shpella e mermertë e Kosovës në Gadime është njëra ndër tri më të mirat në botë.
“I bie të jetë e para, për shkak të karakteristikave të krijimit të saj në natyrë. Është shumë fat me pasë. Por, ka qenë sfidë ta menaxhosh, sepse në vitin 2009 është rifutur në mbrojtje të veçantë me një vendim dhe përshkrim të hapësirës dhe prej vitit 2009 e deri në vitin 2012 nuk e kemi menaxhuar po ia kemi besuar Komunës së Lipjanit që nuk e ka menaxhuar si duhet. Në vitin 2012 është vendosur që t’i jepet në menaxhim Agjencisë”, tha ai. “Kemi investuar në brendi të shpellës, në radhë që të ofrojmë siguri, sepse ka qenë në gjendje tmerruese: dritat dhe kabllot kanë qenë të zbuluara, të prishura, të shkatërruara, të rrezikshme… Ka mundur të mbysë ndonjë fëmijë. Pastaj s’ka pasur mbrojtëse”, theksoi Morina.
Për të rëndësi të veçantë ka siguria e kristaleve dhe siguria e vizitorëve.
“Kemi pasur vizita të rregullta të ekspertëve francezë. Dy nga punëtorët kanë shkuar në Francë ku kanë mësuar shumë gjëra. Agjencia e Pyjeve na ka premtuar që do ta pyllëzojnë vendin përreth. Mendojmë ta bëjmë si park që njerëzit të shëtisin. Plani është për gjithë zonën. Besojmë që investimet do të dyfishohen e ta bëjmë një fshat turistik’, tha ai, duke pohuar se ky plan është pranuar edhe nga Qeveria.
Ndryshe, ai tha se do të ndalojnë punën e gurthyesve përreth që mund të ndikojnë në prishjen e shpellës.
“Përderisa kemi diçka që na ka fal Zoti, jemi po ne ata që po e dëmtojnë?! Kjo nuk është në rregull. Shpella e Gadimës nuk është monument lokal po ndërkombëtar. Do të mundohemi ta fusim në UNESCO”, ka thënë Morina. “Edhe pse Shpella e nxjerr veten, paret merr Ministria e Financave, e normalisht që kërkojmë që ato të jepen për rregullime”.
Në Kosovë janë 110 monumente të shpallura dhe mbi 100 të tjera të propozuara. Sot, harta e Kosovës është e larmishme, me rreth 14 për qind të saj nën mbrojtje të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit. /Elfije Boletini/Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/
Foto mahnitëse nga Shpella e Gadimës, të bëra nga fotografi i Telegrafit, Ridvan Slivova – http://telegra.fi/r1gkaQ
Posted by Telegrafi.com on Thursday, January 7, 2016
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
“Ballkani i Hapur”, BDI: VLEN premtuan largimin nga kjo nismë, mirëpo sot nuk ndahen nga OBRM-PDUKM-ja dhe ZNAM-i
Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Kanadasë – flasin për shkëmbimin e kadetëve dhe stërvitjet e përbashkëta
Pagesa më të lira në banka – hyrja e Shqipërisë në SEPA, vitin e parë kursehen 20 milionë euro
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person
KFOR-i bën patrullime në Istog
Zhdukja e australianit në Valbonë, gazeta “The Advertiser” ndërton kronologjinë e ngjarjes
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë