Projekti për formimin e Superligës Evropiane është pezulluar pas tërheqjes zyrtare të gjashtë klubeve angleze – njofton Sky Sport Italia.
Dy ditë më parë, 12 klube të mëdha evropiane njoftuan për formimin e një gare elitare, mirëpo tashmë gjysma e tyre janë tërhequr zyrtarisht.
Manchester City ishte klubi i parë që e konfirmoi largimin dhe pas u ndoq nga Liverpooli, Manchester Unitedi, Arsenali, Tottenham Hotspur dhe Chelsea.
Tashmë kanë mbetur Juventusi, Interi, Milani, Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi, derisa edhe këta dy të fundit pritet të tërhiqen.
Megjithëse në një prononcim për El Chiringuito, presidenti i Realit, Florentino Perez, ka thënë se nuk mund të ndodhë suspendimi i Superligës, sipas raportimeve, pikërisht kjo ka ndodhur.
“Kontrata e Superligës është lidhëse. Askush nuk mund të largohet. Do të punojmë të gjithë bashkë. Të gjithë klubet i kanë nënshkruar kontratat të shtunën e kaluar, nuk ka kurrfarë problemi”, kishte deklaruar ai. /Telegrafi/