Telegrafi

Perez zbulon se Superliga e Evropës u prish shkaku i një skuadre angleze

Ka dështuar të jetësohet Superliga e Evropës që ishte paraparë të jetë me 20 skuadra të fuqishme evropiane.

Top 12 skuadra evropiane kishin themeluar këtë ligë me Real Madridin në krye të saj.

Përveç madrilenëve aty ishin edhe Barcelona e Atletico Madrid nga La Liga, Juventus, Inter e Milan nga Serie A si dhe gjashtë skuadrat angleze, Chelsea, Tottenham Hotspur, Arsenal, Liverpool, Manchester City e Manchester United.

Lexo po ashtu Florentino Perez: Jam i trishtuar dhe i zhgënjyer, mbase nuk e shpjeguam mirë Superligën Evropiane

Presidenti i Real Madridit dhe Superligës evropiane, Florentino Perez ka thënë se kjo ligë nuk u jetësua shkaku i një skuadre angleze.

Vlen të theksohet se gjashtë skuadrat angleze dolën përnjëherë nga kjo ligë pas presionit të jashtëzakonshëm të tifozëve dhe drejtuesve të shtetit anglez.

“Më thërrisni më mirë vetëm si presidenti i Realit të Madridit dhe jo i Superligës evropiane, më mirë kështu”, tha fillimisht Perez.

“Jam shumë i zhgënjyer dhe ndihem keq që nuk e kemi shpjeguar projektin e Superligës në mënyrën e duhur”.

“Mendoj se vetëm një nga gjashtë skuadrat angleze nuk ishin të bindura te ky projekt dhe pastaj u bë ngjitëse për të tjerat, duke shtuar pasigurinë”, deklaroi Perez.

“Megjithatë nuk do ta them emrin se cila skuadër ishte”, tha Perez. /Telegrafi/