Mediat italiane raportojnë se formati i ndryshuar i Kupës së Botës për klube do të nisë në vitin 2021, ndërsa klubet kryesore evropiane kanë marrë ftesë që të jenë pjesë e turneut.
FIFA dëshiron ta zgjerojë turneun aktual, në të cilin marrin pjesë fituesit e Ligës së Kampionëve të UEFA, CONCACAF, AFC, CAF, OFC dhe CONMEBOL.
Shtëpia më e madhe e futbollit në botë planifikon ta ndryshojë formatin e kësaj gare duke e mbajtur çdo katër vjet, në një marrëveshje në vlerë prej 21 miliardë eurosh.
Gazzetta dello Sport raporton se edicioni i parë do të zhvillohet në vitin 2021, ndërsa skuadrat do të ftohen me përzgjedhje. Në këtë mënyrë, do të përfshiheshin klubet më të suksesshme në histori.
Këshilli i FIFA-s pritet ta miratojë këtë ndryshim para Kampionatit të sivjetmë Botëror, ndërsa tashmë janë caktuar edhe datat kur do të zhvillohet turneu, nga 10 deri më 28 qershor 2021.
Në garë do të marrin pjesë 24 ekipe, të shpërndara në tetë grupe nga tri skuadra. Prej tyre, tetë skuadrat fituese do të vazhdojnë në fazën e eliminimit direkt. Në fazën e eliminimit direkt, ndeshjet do të zgjasin vetëm 90 minuta dhe në rast të barazimit do të shkohet menjëherë në penallti.
Gjysma e ekipeve priten të jenë nga Evropa, dy nga Afrika, dy nga Azia dhe dy nga Amerika Veriore. Nga Amerika Jugore, tri skuadra do të kualifikohen drejtpërdrejt, kurse një skuadër e katërt do të luajë në barazh, si edhe një ekip do të jetë nga Oqeania për ta plotësuar listën.
Duke qenë se turneu i parë do të jetë me ftesë, FIFA tashmë e ka bërë listën e skuadrave pjesëmarrëse.
Real Madridi, Milani, Bayern Munichu, Barcelona, Liverpooli, Ajaxi, Interi, Manchester Unitedi, Juventusi dhe Paris Saint-Germaini do të jenë pjesëmarrëse në turneun e vitit 2021. Ndërsa për ta plotësuar listën nga Evropa do të bëhet përzgjedhje ndërmjet Manchester Cityt, Chelseat, Atletico Madridit, Portos, Benficas dhe Borussia Dortmundit.
Tash për tash nuk është caktuar nikoqiri, mirëpo Kina konsiderohet favorit, në mënyrë që të bëhet një testim para një Kampionati të mundshëm Botëror në atë vend. /Telegrafi/