Viti 2021 nisi dhe ka përfunduar me çështjen e menaxhimit të pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike pas pasojave të COVID-19.
Përveç kësaj, anulimi i projektit të gazsjellësit amerikan, heqja e homologimit për veturat që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, marrja e 10 përqindëshit në Fondin e Kursimeve Pensionale, ndarja e shtesave për fëmijët e lehonat, shtrenjtimi i çmimeve dhe reduktimet e rrymës përgjatë dhjetorit, ishin disa temat që u shënuan gjatë vitit 2021, shkruan Telegrafi.
Qysh në fillim të vitit, Departamenti i Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kishte zhvilluar aksionin në Ministrinë e Bujqësisë, përkatësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke arrestuar 12 zyrtarë për keqpërdorim e shpërdorim detyre, marrje dhe dhënie të ryshfetit.
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte bërë të ditur se pas bastisjes së disa lokacioneve kanë sekuestruar 400 mijë euro.
Në fund të muajit shkurt, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka pasur tentim hyrje në sistemin kompjuterik në Ministrinë e Financave.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se me ditë më parë sipas mirëmbajtëseve të IT-së së institucionit, dyshohet se ka pasur tentim/hyrje në sistemin kompjuterik. Mirëmbajtësit e IT-së kanë arrit që ta ndalojnë në vazhdim hyrjen në sistemin kompjuterik dhe lidhur me këtë janë duke u kryer hetime nga njësitë kompetente”, thuhej në njoftim.
Ndërsa, MF ishte shprehur se, siguron qytetarët se sulmi i tentuar nuk ka arritur të cenojë integritetin dhe sigurinë e sistemit.
Filluar në fund të 2020-së, marrja e 10-përqindëshit nga Fondi i Kursimeve pensionale kishte vazhduar deri më 6 prill të 2021-së.
Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi në një intervistë për Telegrafin pati theksuar se janë tërhequr 197 milionë euro nga aplikimi, kurse numri i atyre që kanë aplikuar për ta shfrytëzuar këtë të drejtë ishte rreth 425 mijë kontribuues.
“Për 425 mijë kontribuues janë tërhequr 197 milionë euro për 10 përqindëshin. Është pak a shumë brenda kufijve që kemi pritur, ku maksimumi i tërheqjes së parashikuar ka qenë 200 milionë euro”, pati thënë Demi.
Tërheqja e këtyre mjeteve është garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.
Qeveria e Kosovës me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.
Gjatë muajit prill, Qeveria kishte marr vendim që të emëroj Bordin e ri të Telekomit të Kosovës. Drejtues i këtij Bordi ishte emëruar Shpëtim Dobra, ndërsa anëtarë Sajnije Thaçi, Mimoza Vila, Florina Jerliu, Agim Muqaj, Remzi Kelmendi.
Gjithashtu, Agron Llugaliun ishte emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.
Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar se emërimi i Llugaliut është bërë përmes konkursit.
“Emërimi i Llugaliut pason përzgjedhjen nëpërmjet konkursit për drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, në një proces transparent e profesional të monitoruar nga përfaqësuesit e Projektit Britanik për Rekrutime në Pozita të Larta Drejtuese”, thuhej në njoftim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore. Sipas këtij vendimi, janë ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës.
Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës. Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se në kundërshtim me zotimet e saj ka miratuar këtë vendim. Për Lidhjen Demokratike e Kosovës, pati thënë se Qeveria Kurti po ndërmerr veprime të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë. Ndërsa, në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhej se këtë vlerë duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona.
Dy muaj pas dhënies së besimit të drejtimit, Qeveria Kurti kishte miratuar Programin Qeverisës për vitet 2021-2025, ku sipas këtij plani prioritet është menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike.
Për sa i përket zhvillimit ekonomik, programi parasheh krijimin e Fondit Sovran, shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mos ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, ridizajnimi i politikave fiskale, qëndrueshmëria e financave publike dhe formalizimi i ekonomisë.
Qeveria ka paraparë edhe rritjen e pagës minimale në 250 euro si dhe ngritjen e pragut të pagës që nuk tatimohet në nivelin e kësaj page.
Me krijimin e Fondit Sovran, pritet që AKP të shuhet duke e shndërruar në një agjenci brenda Qeverisë. Sipas planit, Agjencia Zhvillimore do të shërbej si mekanizëm për udhëheqjen e politikave nëpërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.
Në plan janë përmendur edhe disa projekte infrastrukturore, por që nuk është paraparë edhe ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit. Te ridizajnimi i politikave fiskale, Qeveria thotë se do të rishikohen të gjitha politikat aktuale, veçanërisht ndryshimi i formës së deklarimit të Tatimit në të Ardhura Personale.
Kryeministri Albin Kurti gjatë Samitit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili ishte mbajtur gjatë muajit qershor 2021 në Tiranë, ka propozuar një marrëveshje të re tregtare.
Gjatë fjalimit, Kurti ka theksuar se, “për të ecur përpara na duhet një kornizë e re bashkëpunimi, e cila bazohet në vlera të përbashkëta dhe në një zotim për një sërë parimesh thelbësore”.
“Kjo kornizë e re do të quhej Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – ose SEFTA”, kishte thënë Kurti ndër të tjera në këtë takim.
Po këtë muaj, Qeveria e Kosovës pati marr vendim që të filloj rimbursimin e mjeteve të tërhequra nga 10-përqindëshi i Fondit për Kursime Personale (Trusti).
“Propozimi në fjalë rrjedh nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Përmes një metodologjie do të përcaktohet se si do të paguhen këto mjete. Rimbursimi do të filloj nga viti 2023”, ishte shprehur Murati.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota kanë votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit.
Sipas këtij Projektligji, është hapur rruga largimit të homologimit si detyrim për veturat që importohen nga vendet e Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.
Në nenin 1 këtij Projektligji parashihet që, mjetet rrugore të reja që importohen dhe posedojnë certifikatë të konformitetit.
Në nenin 2 të këtij Projektligji parashihet heqja e plotë e nenit 27 të Ligjit për Automjete që parasheh procedurën e mjeteve të përmirësuara dhe të riparuara.
Ndërsa, në nenin e tretë thuhet se, “pronari i mjetit transportues është i obliguar të kërkojë që ndryshimet e bëra në mjetin e tij, e të cilat janë bërë me pëlqimin e tij, atëherë duhet të evidentohen pranë institucionit të autorizuar, në afat prej 30 ditësh nga dita e ndryshimit të bërë”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fund të muajit qershor 2021, kishte njoftuar se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i paraparë në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington.
Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.
Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Columbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga SHBA-ja.
Në fund të muajit gusht 2021, Qeveria e Kosovës kishte marr disa vendime lidhur me zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19. Këto vendime kanë të bëjnë për krijimin e vendeve të punës, përkrahje për prodhuesit vendor, shtesat për fëmijët, ata që kanë humbur anëtarët e familjes nga COVID-19 dhe ndihmë për familjet me nevojë me kuponë ushqimor.
Nga ky vendim janë ndarë 15 milionë euro për masën që parasheh krijimin e vendeve të punës, 12 milionë euro për mbështetje për familjen, 10.43 për prodhuesit vendor dhe 2.7 milionë euro për shëndetësinë.
Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 shtator të 2020-së, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dokumentin për normalizim ekonomik, e njohur si Marrëveshja e Washingtonit. Marrëveshja që përmban 16 pika është nënshkruar në Shtëpi të Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në këtë dokument tregohet se, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon.
Kryeministri Kurti lidhur me këtë Marrëveshje, ka thënë se nuk do ta “injorojë” në tërësi, por se sipas tij, disa pika të saj janë problematike.
“Ne nuk duam ta mohojmë atë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë që janë nënshkruar si një zotim nga kryeministri i mëparshëm. Vetëm të përmendim faktin që ne nuk do të lobojmë dhe angazhohemi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkon në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, kishte theksuar Kurti.
Njëra ndër temat që ka nxitur reagime të shumta në vend gjatë 2021-së dhe polemika mes zyrtarëve qeveritarë edhe atyre në opozitë është përfshirja e Kosovës në tubacionin e gazit nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, projekt ky i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SHBA-ja në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden ka marr vendim që t’i ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të agjencisë së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit.
“MCC dhe Qeveria e Kosovës përditësuan dhe riafirmuan qasjen në energji të sigurt dhe të përballueshme si një pengesë për rritjen ekonomike të vendit. Gjatë dy viteve të fundit, MCC ka punuar me Qeverinë dhe akterët e tjerë për të zhvilluar një program të fokusuar në sektorin e energjisë të Kosovës. MCC dhe Qeveria përfunduan studimet e fizibilitetit në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit energjetik dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, thuhej në vendimin e MCC-së.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pati njoftuar se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtim të infrastrukturës së gazit, të financuar nga MCC-ja. Sipas Rizvanollit, kjo ministri është në bashkëpunim me këtë agjenci amerikane, për të vendosur për shfrytëzimin e kompaktin për investime me risk më të ulët.
Sistemi i Pavarur i Gazit Natyror (INGS) është duke zhvilluar projektin për ndërtimin e terminal të gazit LNG, afërsisht 17.6 kilometra në jug-perëndim të Alexandroupolis. Projekti INGS pritet të përmirësojë sigurinë e energjisë së vendeve të rajonit dhe të promovojë zhvillimin e një qendre konkurruese të tregtimit të gazit.
Qysh nga fillimi i muajit shtator 2021 është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit. Ku sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.
Nga të dhënat e Trading Economics, kishte dalur se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.
Pa rritjes së çmimeve në Kosovë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) pati thënë se kjo ka rënduar gjendjen sociale të punëtorëve dhe qytetarëve në vend, ndërsa kryeministri Kurti ka theksuar se rritja e çmimeve është e ndikuar botërisht, gjë që po ndikon në ngritjen e tyre edhe në vend.
Pas shtatë vjetësh është rihapur terminali doganor i Trepçës në Mitrovicë. Kryeministri Kurti ka thënë se në vitin 2014 padrejtësisht Trepçës i është privuar kjo hapësirë. Sipas tij, asokohe 24 punëtorë kishin mbetur papunë kur e patën nxjerr jashtë kësaj hapësire këtë terminal.
Ky terminal kishte operuar nga viti 2003 deri në vitin 2014.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të dhjetorit 2021 kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit, përveç Veselinoviq janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.
Ky grup, sipas Departamentit të Thesarit i ka të regjistruara 11 biznese në Kosovë, 10 në Serbi, nga një në Kroaci dhe Bullgari.
Ky departament thekson se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis dy vendeve.
Dhjetë ditë pa përfunduar viti, me 65 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, deputetet e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në shqyrtim të dytë Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e vitit 2022.
Sipas projektimit, ky buxhet pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro apo rreth 8.7 për qind më i lartë se ai i vitit 2021, me të hyra prej 2 miliardë e 364 milionë euro, shkruan Telegrafi.
Në këtë seancë ishin shqyrtuar 83 amendamente të propozuara nga deputetët. Shumica këtyre amendamenteve të propozuara nga deputetët e opozitës nuk morën mbështetjen, derisa ato të propozuara nga deputetët e pozitës janë miratuar.
Si rrjedhojë e krizës botërore energjetike, edhe Kosova është sfiduar me mungesë të furnizimit të rregullt të energjisë elektrike. Për këtë çështje pati akuza dhe kritika nga partitë opozitare dhe shoqëria civile në drejtim të Qeverisë së Kosovës që nuk mori masat e nevojshme në kohë.
Kabineti qeveritar fajësoi qeveritë e kaluara për gjendjen e rëndë të kapaciteteve prodhuese energjetike në vend.
Qeveria gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlen për 60 ditë. Ky vendim ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Për sa i përket lajmeve ndërkombëtare, kujtojmë ngecjen e anijes 200 mijë tonëshe Ever Given në Kanalin e Suezit, duke bllokuar kështu shumë anije me mallra që kishin kapur vlerën e 9.5 miliardë dollarëve në ditë – përfshirë këtu ushqim e naftë – duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në ekonominë botërore.
Po ashtu, ky vit është karakterizuar me paqëndrueshmërinë e tregut të kriptovalutave dhe stimulimit financiar nga vendet e ndryshme për të tejkaluar situatën e kizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia. /Telegrafi/