Site icon Telegrafi

Dhjetë lojtarët më të shtrenjtë në histori të futbollit: Nga Neymar e deri te Higuain

Klubet e mëdha tashmë kanë filluar me transferimet për sezonin 2019/2020, me Real Madridin që po i prin listës me pesë lojtarë të rinj dhe shpenzime mbi 200 milionë euro.

Eden Hazard është bërë ditë më parë ‘Galaktiku’ më i ri i Los Blancos për 100 milionë euro, mirëpo kjo shumë mund të rritet në 130 milionë, varësisht suksesit që tregon.

Kur jemi te transferimet, TalkSport ka përpiluar një listë me dhjetë futbollistët më të shtrenjtë deri më tani në histori të futbollit:

10) Gonzalo Higuain – Nga Napoli te Juventusi për 90 milionë euro

Sulmuesi argjentinas e kompletoi transferimin e tij në vitin 2016 te Zonja e Vjetër nga napolitanët, derisa një sezon më parë (2015/2016) si lojtar i Napolit kishte arritur t’i shënonte 36 gola (shifër rekorde që prej sezonit 1928/1929).

Gonzalo Higuain (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

9) Cristiano Ronaldo – Nga Manchester United te Real Madridi për 94 milionë euro

Ylli portugez e theu rekordin e transferimeve në vitin 2009, pasi kaloi nga Djajtë e Kuq te Los Blancos për shumën e 94 milionë eurove. CR7 shënoi 450 gola në 438 ndeshje për madrilenët, duke arritur ta fitonte katër herë Topin e Artë, katër herë Ligën e Kampionëve dhe dy herë La Ligan.

Cristiano Ronaldo (Foto: Alex Livesey/Getty Images/Guliver)

8) Cristiano Ronaldo – Nga Real Madridi te Juventusi për 100 milionë euro

Pesë herë fituesi i Topit të Artë befasoi të gjithë në verën e vitit 2018, pasi u largua nga Real Madridi për ta kompletuar transferimin te Juventusi. 33-vjeçari shënoi në sezonin e kaluar 21 gola në edicionin e parë në Serie A, e që u kurorëzua me titullin e kampionit.

Cristiano Ronaldo (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

7) Eden Hazard – Nga Chelsea te Real Madridi për 100 milionë euro (130 milionë euro varësisht prej paraqitjeve)

Ylli belg e realizoi ëndrrën e fëmijërisë, derisa e kompletoi transferimin te Los Blancos nga Chelsea në këtë afat kalimtar veror.

Hazard u largua nga skuadra londineze pas shtatë vitesh qëndrimin në Stamford Bridge, e që në sezonin e fundit shënoi 21 gola dhe bëri 17 asistime në të gjitha garat.

Eden Hazard (Foto: Angel Martinez/Getty Images/Guliver)

6) Gareth Bale – Nga Tottenham Hotspuri te Real Madridi për 100.8 milionë euro

Uellsiani e rrëzoi Cristiano Ronaldo si lojtari më i shtrenjtë në histori të futbolli. Bale e kompletoi transferimin në vitin 2013 te madrilenët nga Spurs, ndërsa ka fituar tre tituj të Ligës së kampionëve.

Gareth Bale (Foto: Denis Doyle/Getty Images/Guliver)

5) Paul Pogba – Nga Juventusi te Manchester United për 103 milionë euro

Mesfushori francez vazhdon të jetë ende lojtari më i shtrenjtë në histori të Ligës Premier, edhe pse u rikthye në vitin 2016 te Djajtë e Kuq, pas largimit që bëri në vitin 2012.

Paul Pogba (Foto: Stu Forster/Getty Images/ Guliver)

4) Ousmane Dembele – Nga Borussia Dortmundi te Barcelona për 145 milionë euro

Sulmuesi francez shihej si zëvendësues i Neymarit që kaloi te Paris Saint-Germaini në verën e vitit 2017, derisa u bë si transferimi i dytë më i shtrenjtë në histori të katalunasëve (105 milionë shumë fikse, plus 40 milionë të tjera në formë shtesash).

Dembele mund të largohet në këtë verë nga Camp Nou, pasi që nuk ka arritur të ambientohet në La Liga, e që Barcelona shpreson t’i marrë nga shitja e tij rreth 120 milionë euro.

Ousmane Dembele (Foto: Juan Manuel Serrano Arce/Getty Images/Guliver)

3) Philippe Coutinho – Nga Liverpooli te Barcelona për 163 milionë euro

Mesfushori ofensiv brazilian e realizoi transferimin e tij në Camp Nou në janar të viti 2018 me shumë vështirësi nga The Reds, por që nuk ka arritur të lë gjurmë.

Barcelona i pagoi 163 milionë euro te Liverpooli për shërbimet e Coutinhos, por që tani në këtë verë po tentojnë ta shesin transferimin e tyre më të shtrenjtë në histori.

Philippe Coutinho (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

2) Kylian Mbappe – Nga Monaco te Paris Saint-Germain për 185 milionë euro

Me shumë gjasë do të shndërrohet në vitet e ardhshme në lojtarin më të mirë në botë. Ai tashmë ka fituar Kupën e Botës si 20-vjeçar, derisa ndër vite po tregon formë të lartë.

Kampionët e Ligue 1 paguan te kundërshtari i tyre shumën e majme prej 185 milionë euro, por fillimisht e morën si huazim për një sezon. Mbappe shihet si lojtar që ka të ardhme të ndritur në futboll, pasi që tani e kërkojnë Barcelona dhe Real Madridi.

Kylian Mbappe (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

1) Neymar – Nga Barcelona te PSG-ja për 222 milionë euro

Lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit që kaloi në Parkun e Princave për 222 milionë euro në verën e vitit 2017 nga Blaugranët.

Parisienët dëshironin të bënin progres në Ligën e Kampionëve dhe Neymari shihej sipas tyre si lojtari i duhur, mirëpo kjo gjë nuk ndodhi.

Ai po ashtu shihej edhe si kandidati kryesor për ta fituar Topin e Artë para Ronaldos dhe Messit, mirëpo as kjo gjë nuk ndodhi, ndërsa tani po lidhet me një rikthim te Barcelona. /Telegrafi/

Neymar (Foto: Buda Mendes/Getty Images/Guliver)
Exit mobile version