Superkompjuteri i kompanisë së mirënjohur Opta ka zbuluar tashmë favoritët nga i pari deri tek i fundit për të fituar këtë edicion të ri të garës më prestigjioze evropiane, Ligës së Kampionëve.
Liga e Kampionëve 2024/25 nis sonte (e martë) me fillim nga ora 18:45 me formatin e ri, por favoritët e vjetër.
Është superkompjuteri i Opta-s që ka ardhur me përditësimin e fundit ku ka zbuluar shanset e secilës skuadër për të fituar trofeun këtë edicion.
I pari në listë është Manchester City me 25.3%, duke kërkuar kështu triumfin e dytë në këtë garën elitare evropiane për klube.
Pas tij renditet fituesi historik, Real Madridi, me 18.2% shanse për të triumfuar përsëri në Ligën e Kampionëve.
Në vendin e tretë janë italianët e Interit me 10.9%, duke kërkuar të rikthehen në krye të Evropës pas gati 15 vitesh.
Pozitat katër dhe pesë i mbajnë Arsenali me 6.3% shanse dhe Bayer Leverkuseni me 5.2%, duke shprehur që të jenë befasitë e këtij edicioni.
Top dhjetëshja përmbyllet me Barcelonën, Liverpoolin, Bayern Munich, Paris Saint-Germain dhe RB Leipzig, të gjitha këto ekipe me diferenca të vogla mes tyre.
Në pozitat e mëposhtme renditen klube tjera të mëdha si Borussia Dortmund (11), Atletico Madrid (13), Juventus (15) dhe AC Milan (20).
Sipas Opta-s, klube si Celtic, Dinamo Zagreb, RB Salzburg, Sturm Graz, Brest, Crvena Zvezda, Shakhtar Donetsk, Slova Bratislava dhe Young Boys kanë 0% shanse për të fituar trofeun.
Një gjë është e sigurt, ky sezon i Ligës së Kampionëve do të jetë i zjarrtë. /Telegrafi/