Ylli i Manchester Unitedit, Paul Pogba ka mbështetur bashkëkombësin e tij, N’Golo Kante për të fituar Topin e Artë përpara dy lojtarëve më të mirë të dekadës së fundit, Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
30-vjeçari Kante ishte në një formë të shkëlqyer për Chelsean gjatë suksesit të tyret të madh në Ligën se Kampionëve këtë sezon.
Mesfushori francez fitoi çmimin ‘lojtari i ndeshjes’ në dy takimet gjysmëfinale kundër Real Madridit, ndërsa vazhdoi më tej me paraqitje fenomenale në finale kundër Manchester Cityt duke siguruar edhe një herë çmimin e më të mirit.
Të dy, Messi dhe Ronaldo dominuan çmimin ‘Topi i Artë’ që nga viti 2008 derisa Luka Modric fitoi çmimin më të madh individual në vitin 2018.
Messi fitoi Topin e Artë të gjashtë në vitin 2019 përpara Virgil van Dijk dhe Ronaldo, ndërsa edicioni i vitit 2020 u anulua për shkak të pandemisë coronavirus.
Tani, Pogba beson se Kante është në një pozicion mjaft të fortë për të sfiduar të gjithë për çmimin ‘Topi i Artë’ i vitit 2021.
Mesfushori 28-vjeçar i Unitedit shtoi se çështja e shokut të tij te Franca u forcua me mungesën e Ronaldos dhe Messit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.
“Ajo që do të doja t’i thosha gjithë botës është se Kante që kemi parë në muajt e fundit ka qenë gjithmonë i njëjtë”, ka thënë fillimisht Pogba për Eurosport France.
“Ne flasim shumë për performancat e tij, por ai ka qenë gjithmonë kaq i mirë. Nuk ishte Cristiano dhe Messi në gjysmëfinale, kështu që është mirë të shohësh performancat e mesfushorëve apo edhe mbrojtësve”.
“Unë thashë shumë kohë më parë se do të ishte e përshtatshme, nëse Chelsea fitonte, që ai të fitonte Topin e Artë. Do të ishte gjithashtu e merituar”, përfundoi francezi.
Kante mund të shtyhet edhe më tutje si favoriti kryesor për të fituar Topin e Artë me paraqitjet e tij për Francën në Euro 2020 këtë verë.
Mbi 40 për qind e tifozëve besojnë se fituesi i Kupës së Botës 2018 duhet të përfundojë numër 1 në podiumin e Topit të Artë përpara emrave si Messi, Robert Lewandowski dhe Kylian Mbappe. /Telegrafi/