Lionel Messi ka folur për ‘luftën’ e tij me rivalin e madh, Cristiano Ronaldo, gjatë 15 viteve, ku fituan herë njëri dhe herë tjetri trofeun e Topit të Artë.
Messi mori Topin e Artë të tetin në karrierë. Lidhja e tij e dashurisë me këtë çmim filloi në vitin 2009 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Në mes, ai e ka fituar atë në vitet 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021 dhe, tani, kjo e fundit në 2023. Një koleksion trofesh i disponueshëm vetëm për yllin argjentinas.
I vetmi që i afrohet është Ronaldo, i cili ka fituar pesë herë Topin e Artë: në vitet 2008, 2013, 2014, 2016 dhe 2017. Të dy kanë luftuar për të fituar për vite me radhë.
Pikërisht, argjentinasi i është referuar atij dueli në një intervistë që ka dhënë për gazetën L’Equipe pas marrjes së çmimit këtë të hënë.
“Ishte gjithmonë një betejë shumë e bukur sportive. Ne e ushqenim njëri-tjetrin sepse të dy jemi shumë konkurrues. Dhe gjithashtu ai gjithmonë donte të fitonte në gjithçka dhe në çdo gjë”, ka thënë fillimisht Messi.
“Ishte një kohë shumë e bukur për ne dhe për njerëzit që e pëlqejnë futbollin. Ajo që bëmë kaq gjatë ka shumë meritë, sepse, siç thonë ata, është e lehtë të arrish atje dhe është e vështirë të qëndrosh”.
“Ne qëndruam në krye për 10 ose 15 vjet dhe ishte shumë e vështirë. Ishte spektakolar dhe një kujtim i bukur për të gjithë ata që e shijojnë futbollin”, përfundoi ylli argjentinas. /Telegrafi/