Telegrafi

Zgjidhet formacioni më i mirë i vitit në Ligën Premier – dominohet nga lojtarët e Man Cityt, asnjë i Chelseat

Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA) ka zgjedhur formacionin më të mirë të sezonit 2020/21 në Ligën Premier.

Sezoni 2020/21 i Ligës Premier përfundoi me Manchester Cityn kampion, ndërsa pas tyre u renditen Manchester Unitedi, Liverpooli dhe Chelsea.

Ishin pikërisht lojtarët e Cityt, të cilët u vlerësuan më së shumti nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli, kur u zgjodh formacioni i vitit.

City dominoi formacionin e vitit me gjashtë lojtarë të përfshirë, ndërsa pas tyre erdhën Unitedi dhe Tottenahmi me nga dy lojtarë dhe Liverpooli me një.

Në portë u zgjodh Ederson, ndërsa në mbrojtje Joao Cancelo, Ruben Dias, John Stones dhe Luke Shaw.

Mesfusha përbëhej nga tre lojtarë dhe të zgjedhurit ishin Ilkay Gundogan, Kevin de Bruyne dhe Bruno Fernandes.

Në sulm vend fituan Mohamed Salah, Harry Kane dhe Heung-min Son. /Telegrafi/