Ukraina është duke u bërë gati ta mbrojë veten nga ndonjë pushtim i mundshëm, pas kapjes së tri anijeve të tyre nga forcat ruse në ngushticën e Kerçit.
Kremlini zyrtar ka injoruar thirrjet e vendeve perëndimore që të lirojë tri anijet ukrainase dhe ekuipazhin e tyre që u kapën në afërsi të Krimesë gjatë vikendit, ku Moska po akuzon Kievin zyrtar për komplot së bashku me aleatët perëndimor që sipas tyre po provokon konflikt, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq në Ukrainë ku forcat janë në gatishmëri të plotë, presidenti i vendit Petro Poroshenko ka kërkuar miratimin e Parlamentit që të sjell në fuqi ligjin ushtarak për të rritur mbrojtjen kombëtare kundër ndonjë pushtimi nga ana e Rusisë.
Gjatë një fjalimit televiziv, ai i siguroi ligjbërësit skeptikë se dekreti i tij i planifikuar të votohej më së largu të hënën, nuk do të kufizon lirinë e civilëve ose të qon në ndonjë vonesë për zgjedhjet e planifikuara të mbahen gjatë vitit të ardhshëm.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin, ka deklaruar se ekuipazhi i anijeve të kapur nga Rusia gjatë incidentit të dielës në Krimenë e aneksuar nga Kremlini, duhet të trajtohen si të burgosur lufte. Klimkin shtoi se qeveria është në bisedime me Kryqin e Kuq, që të sigurohet se ekuipazhi i kapur të trajtohen si të burgosur lufte.
Raportet Rusi-Ukrainë janë të tensionuara që nga viti 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina, duke përkrahur kështu forcat pro-ruse në pjesën lindore të Ukrainës. Por, situata u tensionua edhe më shumë kur vendet perëndimore për shkak të këtij veprimi bën thirrje t’i vënë sanksione Moskës zyrtare.
Gjatë një bisede telefonike me Poroshenkon, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, “i ofroi përkrahjen e plotë të aleancës sa i përket integritetit territorial dhe sovranitetit”. Ukraina nuk është anëtare e NATO-së, edhe pse ky vend synon t’i bashkohet kësaj familje të madhe.
Përfaqësuesi i Uashingtonit në Kombet e Bashkuara ka paralajmëruar Rusinë se veprimet e këtij vendi përbëjnë shkelje të egër të territorit sovran të Ukrainës, duke theksuar kështu se sanksionet ndaj Rusisë do të mbeten në fuqi dhe se çdo përshkallëzim nga ana e Moskës vetëm sa përkeqëson lidhjet.
Kapjen e anijeve ukrainase dhe të ekuipazhit të tyre e kanë dënuar edhe Bashkimi Evropian, Franca, Polonia, Danimarka dhe Kanadaja, të cilët e quajtën agresion. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidenti ukrainas Petro Poroshenko, për t’ia shprehur shqetësimet e saj lidhur me qëndrimin e Rusisë rreth Krimesë.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, ka akuzuar Kievin për krizën e shkaktuar. Kjo përplasje dhe qëndrimi i Rusisë ka ngjallur frikë për një përshkallëzim më të gjerë ushtarak tek NATO-ja dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së, të cilët po mbajnë takime emergjente për të diskutuar për krizën.
Ukraina dhe Rusia kanë raporte të tensionuara, që kur në vitin 2014, Krimea është aneksuar nga Kremlini që mbështeti forcat pro-rusë në lindje të vendit. Ndërkaq Britania dhe Franca kanë kritikuar ashpër Moskën, ku kryeministrja Theresa May e quajti akt agresioni që është një dëshmi tjetër e sjelljes destabilizuese të Rusisë në rajon. Thirrjes së BE-së për të liruar marinarët ukrainas që u kapën së bashku me anijet e tyre nga forcat ruse, i janë bashkuar edhe Spanja e Gjermania.
Gjatë ditës janë publikuar edhe pamjet që shfaqin momentin kur anijet e rojeve bregdetare ruse godasin anijen ukrainase, ku është urdhëruar që të “shtypen”. Ekuipazhit të anijes ruse i është thënë që të “mbahen fortë” pasi do të godasin anijen ukrainase në ngushticën e Kerçit, një kanal i ngushtë i ujit që ndanë Krimenë e aneksuar nga Rusia kontinentale. Po e njëjta anije ruse disa minuta më vonë kishte hapur zjarr dhe kishte kapur tri anije ukrainase, me ç’rast kanë mbetur të lënduar gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
E gjithë kriza filloi të dielën pasi rojet bregdetare ruse ndalën tri anijet e Ukrainës para se të hyjnë në Detin e Azovit – zonë e përbashkët territoriale mbi të cilën Moska ka pretendime pas aneksimit të gadishullit në vitin 2014.
Konfrontimi i se dielës është një zhvillim i rrezikshëm, në një konflikt që vendos Ukrainën kundër rebelëve të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit. Që nga viti 2014, mijëra persona kanë vdekur në luftën midis trupave ukrainase dhe seperatistëve pro-rusë.
Sikur kjo të mos mjaftonte, një audio incizim i publikuar tregon se si një burrë urdhëron ekuipazhin e anijes ruse të ndërmarrin veprimet kundër anijeve ukrainase duke u thënë “shtypeni, shumë mirë, shtypeni nga ana e djathtë”. /Telegrafi/