Mëngjesi i hershëm i së dielës e gjeti Banjskën e Zveçanit nën sulme të një grupi serbësh prej më shumë se 30 personave të armatosur rëndë, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku si dhe u plagos pjesëtari i policisë, Alban Rashiti.
Të dielën ekipi i Telegrafit ishte në vendngjarje, rreth 2 km larg vendit ku zhvillohej sulmi terrorist.
Në rrugën Mitrovicë-Zvecan në anën e djathtë të saj afër “Kërrshit të Dudës”, ishin pozicionuar mbi dhjetë vetura të KFOR-it nga Latvia (Letonia), autoblinda si dhe disa xhipa të bardhë amerikanë.
Sulmi zgjati për disa orë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, arriti që të futej brenda Manastirit të Banjskës, ku ndodheshin grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetra pelegrinë.
Policia gjeti sasi të madhe të armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit, të cilat u publikuan më pas bashkë me disa dokumentacione nga Policia e Kosovës, Kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas informacioneve zyrtare gjatë këtij sulmi katër terroristë mbetën të vrarë.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona ku katër prej tyre u liruan të mërkurën në mungesë të provave, pasi ishin arrestuar në distancë të largët nga vendi i sulmit. /Telegrafi/