Site icon Telegrafi

Shumë largime nga Chelsea – klubet italiane lidhen me transferimin e gjashtë prej yjeve që janë pjesë e klubit anglez

Chelsea po përgatitet për një eksod masiv lojtarësh gjatë verës për t’i hapur rrugë afrimeve të ardhjeve të reja nën drejtimin e Todd Boehly, ndërsa gjashtë largime janë të lidhur me lëvizjet në Serie A.

Njëri prej tyre tashmë luan në Itali. Romelu Lukaku është ende temë e debatit të nxehtë mes tifozëve të Interit dhe Chelseat, pasi ka ende pasiguri për të ardhmen e belgut në Londër ose Milano.

Një marrëveshje e përhershme për Lukakun mbetet e pamundur duke pasur parasysh se ai është nën kontratë deri në vitin 2026 dhe se londinezëve perëndimor u kushtoi 113 milionë euro për ta blerë atë nga Interi.

Sipas La Gazzetta dello Sport, do të ketë bisedime mes Interit dhe Chelseat për të ardhmen e Lukakut në javët e ardhshme.

Lexo po ashtu Vetëm 40 ditë: Lukaku mes "jetë dhe vdekje" për ta bindur Interin mos ta kthejë te Chelsea

Një tjetër që mund të ndjekë rrugën e kthimit është Kalidou Koulibaly. Viti i parë i kapitenit të kombëtares së Senegalit në Angli nuk ka shkuar saktësisht sipas planit që nga kalimi i tij nga Napoli verën e kaluar, kryesisht për shkak të lëndimeve dhe pjesërisht për shkak të nënshkrimeve të të rinjve Wesley Fofana dhe Benoit Badiashile.

Gazzetta ka pohuar së fundmi se Massimiliano Allegri dhe Juventus janë të interesuar të rikthejnë Koulibaly në Itali, pasi ata kërkojnë një qendërmbrojtës gjatë verës.

Në listën e largimit është edhe Kepa Arrizabalaga. Chelsea e bëri spanjollin portierin më të shtrenjtë në histori kur e solli atë nga Athletic Bilbao për 80 milionë euro (71 milionë funte) në vitin 2018.

Blutë janë gati të vazhdojnë përpara dhe ëndërrojnë të afrojnë Andre Onanan nga Interi. Chelsea mund të ofrojë Kepan si pjesë e një marrëveshjeje plus para në verë.

Lexo po ashtu Pesë yjet që Pochettino mund t'i largojë nga Chelsea në verë

Hakim Ziyech është një tjetër emri i të cilit është shfaqur disa herë në muajt e fundit. Marokeni është pothuajse i sigurt se do të largohet nga Stamford Bridge gjatë verës, qoftë përgjithmonë apo në formë huazimi.

Roma dhe Milani janë dy nga klubet që janë lidhur me një lëvizje për ish-anësorin e Ajax gjatë muajve të fundit.

Për arsye të ngjashme me ato të Koulibaly, Trevoh Chalobah gjithashtu mund të lirohet nga Chelsea gjatë verës. Interi dhe Milani janë lidhur të dy me një lëvizje për 23-vjeçarin. Kuqezinjtë në veçanti kanë një histori të fundit me nënshkrimin e qendërmbrojtësve të rinj anglezë nga Chelsea.

Pierre-Emerick Aubameyang gjithashtu është pothuajse i larguar nga Chelsea gjatë verës. Sulmuesi gabonez u hoq nga lista e Ligës së Kampionëve në janar dhe që nga ajo kohë është paraqitur rrallë në kampionat.

Një pjesë e madhe e familjes së Aubameyang ende jetojnë në qytetin e Milanos, ndërsa kuqezinjtë dhe Zikaltërit mund të jenë të interesuar t’i bëjnë atij një ofertë. /Telegrafi/

Exit mobile version