Gara prestigjioze evropiane, Liga e Kampionëve, rikthehet me ndeshjet e xhiros së dytë të fazës grupore.
Në Grupin A takohen Lokomotiv Moska me Bayern Munichun dhe Atletico Madridi me Salzburgun. Bavarezët fituan bindshëm ndaj Los Rojiblancos (4-0) në xhiron e parë, ndërsa Salzburgu dhe Lokomotiva luajtën baras (1-1).
Në Grupin B, pas humbjes befasuese nga Shakhtar Donetsku në Santiago Bernabeu (2-3), Real Madridi është mysafir i Borussia Monchengladbachut. Interi që luajti baras (2-2) me skuadrën gjermane, luan në udhëtim te Shakhtari.
Pas fitores (3-1) ndaj Portos në Grupin C, Manchester City do të luajë në udhëtim përballë Marseille. Skuadra portugeze luan në shtëpi kundër Olympiacosit që në xhiron e parë triumfoi (1-0) përballë ekipit francez.
Në Grupin D, Liverpooli e pret Midtjyllandin, kurse Atalanta është nikoqir i Ajaxit. Redsat fituan me një gol në udhëtimin e tyre në Amsterdam në xhiron e parë, kurse skuadra italiane fitoi bindshëm (4-0) ndaj ekipit danez. /Telegrafi/