Telegrafi

Ndihma financiare nga SHBA-të dhe specialistët e parë të FSK-së për sulme ajrore – Mehaj sërish flet për Bazën e përhershme të Forcave amerikane në Kosovë

Një ditë më parë u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të ndajnë 2.2 miliardë dollarë për investime ushtarake për vendet aleate në mesin e të cilave është edhe Kosova dhe se Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar edhe specialistët e parë për sulme ajrore.

Këto dy lajme të mira për fushën e sigurisë në vend u mirëpritën nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e lidhur me këtë ka shkruar sot edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes sot bëri të ditur po ashtu se Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar edhe specialistët e parë për sulme ajrore, raporton Telegrafi.

Mehaj në një postim në Facebook shkruan se bashkë me kursantët e Gardës Kombëtare të Iowa-s, dy ushtarakët tanë përfunduan me sukses të lartë kursin e sulmimit ajror dhe rrugë-zbulimit.

Ai sot ka shkruar edhe për paralajmërimet për mbështetjen financiare të SHBA-së.

“Mbështetja e paralajmëruar financiare e SHBA-së –motivim i jashtëzakonshëm për ne dhe aleatët për të punuar maksimalisht në mbrojtjen e vlerave të patjetërsueshme euroatlantike

Mirënjohje e përjetshme për SHBA-në dhe Sekretarin Blinken për besimin e plotë në vendosmërinë tonë të hekurt në frontin e vendeve demokratike me orientim të qartë perëndimor në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë”, shkruan Mehaj.

Në kontekstin gjeopolitik dhe sfidave të mjedisit të sigurisë që sfidojnë rajonin tonë, ai ritheksoi nevojën për vendosjes e Bazës së përhershme të Forcave amerikane në vendin tonë, si garancë e përhershme e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe perspektivës së qëndrueshme të vendeve dhe popujve të rajonit dhe më gjerë.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës janë të mishëruara dhe frymojnë e veprojnë në sinkron me konceptin strategjik të mbrojtjes e doktrinën ushtarake amerikane dhe aleatëve të saj”, shkruan ministri i Mbrojtjes.

Ndryshe, një ditë më parë u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të ndajnë 2.2 miliardë dollarë për investime ushtarake për vendet aleate në mesin e të cilave është edhe Kosova, ka njoftuar Misioni Amerikan në NATO.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken për siç tha, angazhimin e palëkundur për paqe dhe siguri.

“Një falënderim personal për Sekretarin Antony Blinken për angazhimin e tij të palëkundur për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë”, shkroi Osmani.

“Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë amerikanë që qëndrojnë gjithmonë me popullin e Kosovës. Së bashku, ne do të shkojmë nga forca në fuqi!”, shtoi ajo.

Lidhur me paralajmërimet për ndihmë financiare dhe specialistët e parë të FSK-së për sulme ajrore, ka shkruar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai i quajti si dy lajme të shkëlqyeshme nga SHBA-të. /Telegrafi/