Ligji për sponsorizimi në sport është një nga ligjet që iu ka dhënë krahë klubeve sportive, sa i përket financimit.
Viti 2024 ishte fitimprurës për shumë klube si në futboll, ashtu edhe në basketboll, ku klubet fituan shuma të majme nga sponsorizmet.
Klubet e Superligës kanë përfituar në total mbi 4,2 milionë euro, sipas Duelit Sportiv të RTV Dukagjinit.
Klubi që prin dhe është i vetmi me përfitime mbi 1 milion euro është Prishtina, që në total në vitin 2024 ka inkasuar nga ligji për sponsorizim 1.117.500 milion euro.
Pas tyre vjen Ballkani me një përfitim prej 840 mijë euro. Gjilani është nën gjysmë milioni euro, me 498 mijë euro.
Suhareka me 419 mijë euro, Malisheva me 343 mijë euro dhe Feronikeli 74 me 331 mijë euro, janë në mesin e ekipeve përfituese.
Llapi ka përfituar 260 mijë euro, ndërsa Ferizaj plot 191 mijë euro.
Ajo që bie në sy dhe befason është Drita, që ka përfituar vetëm 128 mijë euro nga ligji për sponsorizim.
I fundit është Dukagjini që ka marr vetëm 75 mijë euro nga sponsorët.
Në anën tjetër, klubet e basketbollit në elitë, vazhdojnë të përfitojnë më shumë se sa futbolli, pasi tetë ekipet e Superligës së Kosovës, në vitin 2024 kanë marr 4,6 milionë euro.
Trepça është lider me 1.1 milion euro, ndërsa pak pas tyre që i afrohet kësaj shifre është Prishtina me 947 mijë euro.
Edhe Ylli është në kry me 919 mijë euro të marr nga sponsorët. Peja me 416 mijë euro, Bashkimi me 414 mijë euro dhe Bora me 364 mijë euro janë në mes.
Vëllaznimi ka marr 255 mijë euro, ndërsa e fundit është Prizreni me 196 mijë euro. /Telegrafi/