Telegrafi

Evropa po vuan thatësirën më të madhe në 500 vjet

Dy të tretat e Evropës janë nën një lloj paralajmërimi për thatësirën, në atë që ka të ngjarë të jetë ngjarja e tillë më e keqe në 500 vjet.

Raporti i fundit nga Observatori Global i Thatësirës thotë se 47 për qind e kontinentit është në kushte “paralajmëruese”, që do të thotë se toka është tharë.

Një tjetër 17 për qind është në gatishmëri – që do të thotë se bimësia “tregon shenja stresi”, raporton bbc.

Lexo po ashtu Lumi Po është goditur nga thatësira më e keqe në 70 vjet, qytetarët pa problem po ecin përgjatë rërës

Raporti paralajmëron se periudha e thatë do të godasë rendimentet e të korrave, do të ndezë zjarre dhe mund të zgjasë disa muaj më shumë në disa nga rajonet jugore të Evropës.

Krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme, parashikimet e BE-së për të korrat janë ulur me 16 për qind për misrin e grurin, 15 për qind për sojën dhe 12 për qind për luledielli.

Observatori i thatësirës është pjesë e krahut të kërkimit të Komisionit Evropian. Duke iu përgjigjur kësaj, Komisioni paralajmëroi se të dhënat paraprake sugjerojnë “thatësira aktuale ende duket të jetë më e keqja që prej të paktën 500 vjetësh”.

Vala e vazhdueshme e të nxehtit dhe mungesa e ujit kanë “krijuar një stres të paprecedentë në nivelet e ujit në të gjithë BE”, tha Komisionerja e Kërkimeve, Mariya Gabriel.

“Aktualisht po vërejmë një sezon zjarresh në mënyrë të ndjeshme mbi mesataren dhe një ndikim të rëndësishëm në prodhimin e të korrave. Ndryshimet klimatike padyshim janë më të dukshme çdo vit”, shtoi ajo.

Raporti paralajmëroi se pothuajse të gjithë lumenjtë e Evropës janë tharë deri në një farë mase.

Përveç ndikimit të dukshëm në varkat, lumenjtë e thatë po godasin edhe sektorin e energjisë, i cili tashmë është në krizë. Sipas raportit, energjia hidroelektrike ka rënë me 20 për qind të konsiderueshme.

Një “thatësirë e fortë” ka qenë e pranishme në shumë vende gjatë gjithë vitit, por “është duke u zgjeruar dhe përkeqësuar më tej që nga fillimi i gushtit”, thotë ai. Kushtet ka të ngjarë të zgjasin të paktën deri në nëntor të këtij viti përgjatë Mesdheut Evropian.

Raporti paralajmëron se situata po përkeqësohet në vende si Italia, Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Rumania, Hungaria, Serbia veriore, Ukraina, Moldavia, Irlanda dhe Britania e Madhe.

Paralajmërimi i ashpër i studiuesve pason nivelet e lumenjve të fundosur me shpejtësi në të gjithë Evropën, të cilat kanë ekspozuar relike të së kaluarës. /Telegrafi/