Milani me tregun e transferimeve po tenton t’u bëjë rezistencë klubeve britanike që gjatë viteve të fundit kanë siguruar përherë vendin e parë në podium.
Me 10 blerjet e fundit që llogariten në vlerën 200 milionë, klubi kuqezi nuk ka rivalë në Evropë edhe pse goditjen më të rëndë e bëri Jose Mourinho për Manchester United me afrimin e Romelu Lukakut për 85 milionë.
Një tjetër klub anglez mban vendin e dytë përsa i përket transferimeve më të shtrenjta. Bëhet fjalë për Arsenalin që shkëputi Alexandre Lacazette nga Lyoni për 60 milionë, ndërsa shkallën e fundit të podiumit e ka prenotuar për momentin Manchester City që pagoi plot 56.7 milionë për Kylie Walker.
Një tjetër blerje e shtrenjtë e Pep Guardiolës është edhe ajo e Bernardo Silvas për 50 milionë, ndërsa Reali i Madridit i pagoi Flamengos plot 45 milionë euro për talentin Vinicius Junior, transmeton SS.
Në krahun tjetër, Milani vazhdon të shpenzojë edhe pse shuma më të vogla por për më shumë lojtarë sepse vetëm Leonardo Bonucci dhe Andre Silva i kanë kushtuar “Djallit” 80 milionë euro.
Në këtë mënyrë, klubi milanez ka monopolizuar pothuajse tërësisht tregun italian, duke eklipsuar madje edhe një klub të pakursyer si Juventusi që gjatë kësaj vere është penguar edhe nga këstet e prapambetura të Juan Cuadrado dhe Medhi Benatia.
Blerja më e shtrenjtë e Zonjës së Vjetër është Douglas Costa për 46 milionë, ndërsa Interi është ndalur te 18 milionët e shpenzuara për Milan Skriniar.